Zyrtarizohen 28 këngëtarët pjesëmarrës në Festivalin e 65-të të Këngës në RTSH

Pas përmbylljes së fazës së aplikimeve dhe procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës janë zyrtarizuar 28 këngët pjesëmarrëse për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Faza e aplikimeve, e cila zgjati nga data 22 deri më 27 shtator, solli një interes të lartë nga artistë, kompozitorë dhe krijues të muzikës së lehtë shqiptare nga të gjitha trevat dhe diaspora. Të gjitha dosjet e aplikimit u dorëzuan përmes formularëve të posaçëm online në uebfaqen zyrtare të Festivalit.

Për t’u bërë pjesë e këtij edicioni jubilar, të gjitha këngët e përzgjedhura i janë nënshtruar një rregulloreje strikte artistike dhe teknike; ku çdo këngë konkurruese është e interpretuar tërësisht në gjuhën shqipe dhe nuk i kalon 4 minutat e kohëzgjatjes.

Sa i përket origjinalitetit, krijimet janë krejtësisht të reja dhe të papublikuara më parë në asnjë platformë apo format publik.

Rregullorja e këtij edicioni ka ndaluar kategorisht përdorim e Inteligjencës Artificiale (AI) në çdo etapë të krijimit të këngës, duke i dhënë përparësi krijimtarisë njerëzore. Këngëtarët pjesëmarrës janë të moshës mbi 18 vjeç, ku secili prej tyre garon me vetëm një projekt muzikor.

Edicioni i 65-të i Festivalit të Këngës do të zhvillohet në muajin dhjetor, duke vijuar traditën e gjatë si ngjarja më e rëndësishme e muzikës së lehtë në vend, ku ndërthuren emrat e njohur të skenës me talentet e reja të muzikës shqiptare.