Politika vlerëson Festivalin - Begaj, Kurti, deputetë e ministra ndoqën “Fest 63“
  • e hënë, 23 dhjetor 2024

Politika vlerëson Festivalin - Begaj, Kurti, deputetë e ministra ndoqën “Fest 63“

Festivali i 63 i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar i bëri bashkë të gjithë. Disa në sallë, e disa të pozicionuar para ekraneve, të gjithë ndoqën magjinë e spektaklit final të festivalit. Interesi ishte i madh, si nga publiku i thjeshtë e deri te ato personalitete që kanë lënë gjurmë në Shqipëri e Kosovë. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe zonja e parë ndoqën nga afër festivalin. Për kreun e Shtetit ky eveniment është i një rëndësie të veçantë dhe ka si mision për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Si çdo shqiptar pretendoj që të jetë një festival i suksesshëm dhe ta meritoj fituesi çmimin e parë”, u shpreh Begaj.

Kryeministri Albin Kurti dhe pjesëtarë të kabinetit të tij qeverisës ishin në mesin e të ftuarve në festivalin më të madh të këngës në vend. Kreu i ekzekutivit në Kosovë nënvizoi për kamerën e RTSH se ky aktivitet mezi pritej kaherë nga të gjithë shqiptarët, ndërsa zbuloi dhe një dëshirë të tij në të ardhmen.

Ju përgëzoj që po e mirëmbani traditën e këngës shqiptare në televizionin publik dhe është gjithmonë kënaqësi të rikthehem në Tiranë. Synimi ynë është që edhe Kosova të marr pjesë në Eurovision në një të ardhme të afërt”, u shpreh Kurti.

Magjisë së festivalit nuk i rezistuan as ministra e deputetë të qeverisë shqiptare, që treguan dhe arsyet se përse eventi i këngës mbetet një nga më të pëlqyerit në 63 vite të jetës së saj artistike.

Vlen të përmendet se festivali i 63 i këngës ka thyer rekorde shikueshmërie. Ai është ndjekur në disa frekuenca të Radio Televizionit Shqiptar, në kanalin kryesor në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e në kohë reale kudo që ka shqiptarë përmes platformave online si Youtube, Facebook dhe Instagram.

Gazetar: Mario Merhori

/rtsh.al/