Në zbatim të Ligjit nr.97, datë 04.03.2013 "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë", si dhe Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë datë 22.12.2016 "Për miratimin e statutit të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH)", shkresës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, nr.2416 prot, datë 28.08.2024 me lëndë "Dërgohen materialet për mbledhjen e radhës së Këshillit Drejtues në RTSH", si dhe shkresës nga Drejtoria e Përgjithshme nr.2719 prot, datë 30.09.2024 me lëndë "Në lidhje me projektin artistik me titull 'Festivali i 63-të i Këngës në RTSH dhe Strukturën programore Shtator 2024–Korrik 2025'", si dhe në vijim të procesverbalit të mbajtur në datë 30.09.2024 me nr.117 prot, Këshilli Drejtues pas procesit të rregullt të votimit dhe me shumicë vote (8 vota pro dhe 1 votë abstenim)

Vendosi 

Të miratojë rregulloren e Festivalit të 63 të Këngës për vitin 2024 (si më poshtë):

 

RREGULLORE E FESTIVALIT TË 63 TË KËNGËS NË RTSH

Neni 1

Të përgjithshme

  1. Edicioni i 63 të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (në vijim “Festivali” do të organizohet, zhvillohet dhe prodhohet nga Radio Televizioni Shqiptar (“RTSH”) dhe do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në datat 19, 20 dhe 21 dhe 22 dhjetor 2024.
  2. Ky dokument përbën Rregulloren e Edicionit të 63 të Festivalit të Këngës në RTSH (“Rregullorja”) dhe përcakton procedurën e organizimit, të zhvillimit dhe të prodhimit të Edicionit të 63 të Festivalit të Këngës në RTSH (“Festivali”).
  3. Festivali është një aktivitet artistik muzikor, që zhvillohet në formën e konkursit të këngës, i cili karakterizohet nga sistemi i pjesëmarrjes, i vlerësimit dhe i eliminimit të drejtpërdrejtë të këngëve konkurruese në Festival, si dhe nga shpallja e këngëve fituese të Festivalit. 
  4. Drejtori i Festivalit mund të vendosë të ndryshojë datat e zhvillimit të Festivalit dhe orën e fillimit te transmetimit televiziv. Këngët finaliste të Festivalit shpallen natën e tretë të Festivalit.
  5. Festivali do të përcillet për publikun nëpërmjet transmetimit ekskluziv audio dhe transmetimit audioviziv në kanalet radiofonikë dhe në kanalet televizivë të platformës transmetuese të RTSH-së.
  6. Festivali do të përcillet në publik edhe përmes përsëritjes së shërbimit audio dhe/ose audioviziv në rrjetet dhe platformat transmetuese të ofruesve të shërbimit mediatik audioviziv (OSHMA) të tjerë, brenda dhe/ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 2

Organet kryesore të Festivalit

Organet kryesore të Festivalit janë:

a. Drejtori i Festivalit
b. Drejtori Artistik
c. Producenti Muzikor
ç. Drejtuesi i Bandës Muzikore
d. Drejtuesi (Prezantuesi)
dh. Regjisori
e. Skenaristi
f. Komisioni Përzgjedhës i Këngëve të Festivalit
g. Juria e Festivalit

 

Neni 3

Drejtori i Festivalit

  1. Drejtor i Festivalit është Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së.
  2. Drejtori i Festivalit është përgjegjës për:

a. organizimin, drejtimin dhe zhvillimin e Festivalit;
b. përcaktimin e afatit brenda të cilit duhet të dorëzohen këngët konkurruese për pjesëmarrje në Festival;
c. emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit Artistik të Festivalit;
ç. emërimin dhe shkarkimin e Producentit Muzikor të Festivalit;
d. emërimin dhe shkarkimin e Drejtuesit të Bandës Muzikore të Festivalit;
dh. emërimin dhe shkarkimin e Drejtuesit (prezantuesit) të Festivalit;
e. emërimin dhe shkarkimin e Regjisorit të Festivalit;
ë. emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të komisioneve të ndryshëm, të cilët ushtrojnë detyra të caktuara në funksion të Festivalit;
f. emërimin dhe shkarkimin e autorëve të Festivalit, në cilësinë e autorit të skenarit letraro-artistik;
g. kontrollin, zbatimin dhe administrimin e preventivit financiar të miratuar të Festivalit;
gj. caktimin e çmimeve të tjera të Festivalit;
h. mbikëqyrjen e marrëdhënies juridike me individët, personat fizikë, personat juridikë, të cilët furnizojnë RTSH-në me ambiente, mallra ose shërbime me qira, apo që kryejnë punë për RTSH-në në kuadër të organizimit, prodhimit dhe realizimit të Festivali;
i. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore.

 

Neni 4

Drejtori Artistik i Festivalit

  1. Drejtori Artistik i Festivalit emërohet dhe shkarkohet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Drejtori Artistik i Festivalit është përgjegjës për:

a. drejtimin artistik të Festivalit;
b. vlerësimin, përcaktimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e zgjidhjeve artistike të Festivalit;
c. zgjedhjen e artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues, në cilësinë e aktorëve, muzikantëve, këngëtarëve, instrumentistëve, valltarëve, të cilët aktrojnë, këndojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë dhe/ose ekzekutojnë në cilësinë e artistit interpretues dhe/ose ekzekutues të ftuar në Festival;
ç. përcaktimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e çdo performance, interpretimi dhe/ose ekzekutimi në Festival;
d. përcaktimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e aktorëve, këngëtarëve, muzikantëve, instrumentistëve, valltarëve, të cilët aktrojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë dhe/ose ekzekutojnë gjatë interpretimit prej artistit interpretues të këngës pjesëmarrëse konkurruese ose jo konkurruese në Festival;
dh. mbikëqyrjen e elementëve teknikë artistikë dhe të elementëve të prodhimit të performancës së artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, i cili këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese ose jo konkurruese në Festival;
e. propozon te Drejtori i Festivalit anëtarët e Komisionit Përzgjedhës të Këngëve të Festivalit;
ë. propozon te Drejtori i Festivalit anëtarët e Jurisë së Festivalit;
f. propozon te Drejtori i Festivalit stafin artistik dhe realizues të Festivalit;
g. raporton rregullisht te Drejtori i Festivalit;
gj. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore.

 

Neni 5

Producenti Muzikor

  1. Producenti Muzikor i Festivalit emërohet dhe shkarkohet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Producenti Muzikor i Festivalit është përgjegjës për:
    1. përzgjedhjen e muzikantëve në cilësinë e pjesëtarëve të Orkestrës Simfonike të RTSH-së, të cilët ekzekutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kompozimin muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    2. koordinimin e muzikantëve të Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe të muzikantëve të tjerë, në cilësinë e pjesëtarëve të jashtëm të Orkestrës Simfonike të RTSH-së, të cilët ekzekutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kompozimin muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    3. përcaktimin e orarit të kryerjes së provave të Festivalit, për organizimin dhe mbikëqyrjen e provave të Festivalit; 
    4. procesin e prodhimit të tingullit dhe të efekteve të tingullit, që përftohen nga veglat muzikore të muzikantëve të Orkestrës Simfonike të RTSH-së, gjatë ekzekutimit të kompozimit muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    5. procesin e prodhimit të fonogramit të këngëve pjesëmarrëse në Festival prej Orkestrës Simfonike të RTSH-së, gjatë ekzekutimit në mënyrë të drejtpërdrejtë të pjesës muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    6. të propozuar kryerjen e aranzhimit (orkestrimit) muzikor të kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, si dhe për të bashkëpunuar me autorin e kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival për aranzhimin muzikor;
    7. mbikëqyrjen e procesit të interpretimit me anë të këndimit prej artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival, si dhe për të mbikëqyrur regjistrimin vokal të tingujve, gjatë interpretimit me anë të këndimit prej artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    8. mbikëqyrjen e zhvillimit të Festivalit në datat e zhvillimit të Festivalit;
    9. organizimin e skalitës së netëve të Festivalit të veprave muzikore, duke përfshirë edhe veprat muzikore në llojin e këngës pjesëmarrëse jo konkurruese në Festival për pjesën e programit të Festivalit jashtë konkurrimit;
    10. zbatimin e të gjitha urdhrave dhe udhëzimeve të Drejtorit të Festivalit si dhe për respektimin e dispozitave të kësaj Rregulloreje.
  3. Producenti Muzikor i Festivalit raportin rregullisht te Drejtori i Festivalit.

 

Neni 6

Drejtuesi i Bandës Muzikore

  1. Drejtuesi i Bandës Muzikore emërohet dhe shkarkohet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Drejtuesi i Bandës Muzikore është përgjegjës për:
    1. përzgjedhjen, në konsultim me Producentin Muzikor dhe Drejtuesin Artistik, të muzikantëve të Bandës Muzikore të Festivalit, të cilët ekzekutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kompozimin muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    2. koordinimin dhe organizimin e veprimtarisë së muzikantëve të Bandës Muzikore të Festivalit të cilët ekzekutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kompozimin muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    3. procesin e prodhimit të tingullit dhe të efekteve të tingullit, që përftohen nga veglat muzikore të Bandës Muzikore të Festivalit, gjatë ekzekutimit të kompozimit muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    4. procesin e prodhimit të fonogramit të këngëve pjesëmarrëse në Festival prej Bandës Muzikore të Festivalit, gjatë ekzekutimit në mënyrë të drejtpërdrejtë të pjesës muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival dhe/ose jo konkurruese në Festival;
    5. zbatimin e të gjitha urdhrave dhe udhëzimeve të Drejtorit të Festivalit si dhe për respektimin e dispozitave të kësaj Rregulloreje.
  3. Drejtuesi i Bandës Muzikore raporton rregullisht te Drejtori i Festivalit.

 

Neni 7

Drejtuesi ( Prezantuesi ) i Festivalit

  1. Drejtuesi i Festivalit emërohet dhe shkarkohet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Drejtuesi i Festivalit pranon dhe merr përsipër detyrimin që të kryejë në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtimin e Festivalit në secilën prej netëve të Festivalit në orën që përcaktohet nga RTSH-ja, përmes interpretimit, mbështetur në përmbajtjen e skenarit letraro-artistik të Festivalit.
  3. Drejtimi i Festivalit do të kryhet në skenën e Festivalit me vendndodhje në sallën e Kongreseve, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
  4. Drejtuesi i Festivalit merr përsipër detyrimin që, përgjatë zhvillimit të Festivalit, të prezantojë për publikun
    1. këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival, si dhe artistët interpretues, të cilët, do të cilët interpretojnë në cilësinë e këngëtarit në këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival,
    2. veprat artistike të çdo lloji dhe natyre që interpretohen dhe/ose ekzekutohen në Festival,
    3. artistët interpretues dhe/ose ekzekutues, në cilësinë e aktorëve, të cilët aktrojnë në veprat artistike,
    4. artistët interpretues në cilësinë e këngëtarëve që interpretojnë këngët pjesëmarrëse jo konkurruese në Festival,
    5. muzikantët, valltarët, dirigjentët e korit dhe personat e tjerë, të cilët paraqesin, aktrojnë, recitojnë, interpretojnë, luajnë, ekzekutojnë, që drejtojnë orkestrën ose që shfaqin në mënyra të tjera vepra artistike në Festival.
  5. Drejtuesi i Festivalit merr përsipër detyrimin që në mënyrë të drejtpërdrejtë, në përputhje me përmbajtjen e skenarit letraro-artistik të Festivalit, të drejtojë dhe të zhvillojë intervistat me personat e ftuar në Festival.
  6. Drejtuesi i Festivalit Drejtuesi është i detyruar që pa miratimin e RTSH-së, të mos komunikojë me asnjë medie të shkruar dhe elektronike informacione në lidhje me Festivalin.

 

Neni 8

Regjisori

  1. Regjisori i Festivalit emërohet dhe shkarkohet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Regjisori i Festivalit është përgjegjës për:
    1. drejtimin e përgjithshëm audioviziv artistik të Festivalit përmes kryerjes së regjisë televizive të Festivalit;
    2. kryerjen e kontrollit, të koordinimit, të drejtimit të regjistrimeve audio dhe regjistrimeve audiovizuale të Festivalit, të përzgjedhjes së regjistrimeve audio dhe regjistrimeve audiovizuale të Festivalit dhe komunikimin e tyre në publik përmes përcjelljes në publik me anë transmetimeve audiovizive të bashkuara në njësi të vetme lineare audiovizive;
  3. Regjisori i Festivalit raporton rregullisht te Drejtori i Festivalit.

 

Neni 9

Skenaristi

  1. Skenaristi i Festivalit emërohet dhe shkarkohet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Skenaristi i Festivalit është përgjegjës për krijimin e veprës me të drejta autorit, si një krijim intelektual origjinal, të shkruar në gjuhën shqipe, në cilësinë e skenarit (në vijim “Skenari”), në përputhje me strukturën e Festivalit, sipas kërkesës së RTSH-së, si dhe ta dorëzojë në RTSH lëndën e Skenarit në përputhje me afatin kohor të përcaktuar nga RTSH.
  3. Skenari:
    1. do të jetë origjinal;
    2. nuk do të ketë asnjë përmbajtje ose pjesë të përmbajtjes të çfarëdo krijimi të fjalës, të shprehura nëpërmjet shkrimeve letrare dhe publicistike, leksioni, predikimi fetar, fjalimi, të çdo krijimi tjetër me gojë ose me shkrim dhe programet kompjuterike,
    3. nuk do të ketë asnjë përmbajtje ose pjesë të përmbajtjes të çfarëdo skenari të çfarëdo vepre audiovizuale, në të cilat përfshihen krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audiovizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, përfshirë filmat televizivë, filmat e animuar, reklamat ose filmat e tjerë, videot e shkurtra muzikore, dokumentarët, emisionet dhe grafikat televizive si dhe veprat e tjera audiovizuale të shprehur nga sekuenca të pamjeve lëvizëse të ndërlikuara të shoqëruar me zë apo pa zë, pavarësisht nga lloji i mbajtësit lëndor ku janë fiksuar.
  4. RTSH ka të drejtë që t’i kërkojë Autorit të skenarit kryerjen e ndryshimeve në Skenar dhe Autori i skenarit është i detyruar që të kryejë në Skenar ndryshimet e kërkuara nga RTSH.

 

Neni 10

Komisioni Përzgjedhës i Këngëve të Festivalit

  1. Komisioni Përzgjedhës i Këngëve të Festivalit (Komisioni) caktohet me vendim të Drejtorit të Festivalit, me propozim të Drejtorit Artistik.
  2. Numri i anëtarëve të Komisionit është tek dhe jo më i madh se 5 (pesë).
  3. Anëtarët e Komisionit duhet të jenë personalitete të artit, të muzikës dhe, në përgjithësi, të kulturës shqiptare.
  4. Anëtari i Komisionit nuk mund të jetë autor, bashkautor i kompozimit muzikor dhe/ose i tekstit të këngës, si dhe nuk mund të jetë artist interpretues në cilësinë e këngëtarit të këngës. Për këtë anëtarët e jurisë duhet të nënshkruajnë deklaratën e konfliktit të interesit.
  5. Komisioni është përgjegjës për:
    1. procesin e përzgjedhjes dhe të kualifikimit të këngëve në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
    2. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore apo të ngarkuar nga Drejtori Artistik dhe/ose Drejtori i Festivalit.

 

Neni 11

Juria e Festivalit

  1. Juria e Festivalit ngrihet me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  2. Emërimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Jurisë së Festivalit bëhet me vendim të Drejtorit të Festivalit me propozimin e Drejtorit Artistik të Festivalit.
  3. Juria e Festivalit përbëhet nga 1 kryetar dhe 6 (gjashtë) anëtarë.
  4. Kryetari dhe të gjithë anëtarët e Jurisë së Festivalit janë të barabartë mes tyre dhe përfaqësojnë një votë.
  5. Kryetari ose anëtari i Jurisë së Festivalit nuk mund të jetë autor dhe/ose bashkautor i kompozimit muzikor, i tekstit të këngës, si dhe nuk mund të jetë artist interpretues në cilësinë e këngëtarit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival. Kryetari ose anëtari i jurisë, gjithsesi, mund të këndojë dhe/ose të interpretojë vepra të ndryshme muzikore ose jo muzikore në Festival me cilësinë e të ftuarit të posaçëm.
  6. Juria e Festivalit është përgjegjëse për:
    1. zgjedhjen e këngës fituese të çmimit të parë të Festivalit, të këngës fituese të Çmimit të Dytë të Festivalit, të këngës fituese të Çmimit të Tretë të Festivalit, të Çmimit të “Tekstit më të mirë” dhe të këngës fituese të Çmimit të “Kritikës”.
    2. Kualifikimin në Natën Finale të këngëve pjesëmarrëse konkurruese;
    3. Çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore apo që mund t’i ngarkohet nga Drejtori Artistik.
  7. Procesi i votimit dhe i dorëzimit të rezultateve të votimit të Jurisë së Festivalit udhëhiqet nga Kryetari i Jurisë së Festivalit.

 

Neni 12

Votimi i publikut

Publiku do të votojë nëpërmjet sistemit të televotimit përmes mesazheve SMS dhe kënga pjesëmarrëse që grumbullon numrin më të madh të votave nga Publiku së bashku me votat e Vlerësimit të jurisë do të shpallet kënga që do të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest 2025).

 

Neni 13

Rregullat e pjesëmarrjes në konkurrim, kriteret dhe përzgjedhja e këngëve

  1. Numri i këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival është jo më shumë se 30 (tridhjetë) këngë.
  2. Këngët konkurruese për pjesëmarrje në Festival përzgjidhen nga anëtarët e Komisionit Përzgjedhës të Këngëve.
  3. Autorët e këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival (autori i tekstit dhe autori i kompozimit muzikor) si dhe artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën konkurruese për pjesëmarrje në Festival nuk duhet të kenë funksione drejtuese në RTSH, funksione vendimmarrjeje në Komisionin Përzgjedhës të Këngëve dhe/ose në Jurinë e Festivalit.
  4. Kënga konkurruese për pjesëmarrje në Festival, duhet të plotësojë kriteret vijuese, mos plotësimi i të cilave sjell në mënyrë të menjëhershme përjashtimin e këngës nga konkurrimi për pjesëmarrje në Festival:
    1. duhet të jetë e kënduar në gjuhën shqipe nga artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që do ta interpretojë këngën në Festival, i cili duhet të jetë mbi 16 vjeç;
    2. nuk duhet të jetë më e gjatë se 4 (katër) minuta;
    3. nuk duhet të jetë e njohur për publikun përmes vënies në dispozicion të publikut, duke përfshirë kompozimin muzikor të këngës;
    4. nuk duhet të jetë vepër e kopjuar modifikuar apo huazuar nga repertori vendas apo i huaj,
    5. duhet të jetë e përfunduar në të gjitha elementët e saj përbërëse;
    6. duhet të jetë e shoqëruar me tekstin e këngës të shkruar;
    7. teksti i këngës nuk duhet të përmbajë mesazhe që nxisin dhunë, diskriminim, gjuhë vulgare dhe ofendime, urrejtje racore, fetare, thirrje për thyerje të rendit dhe përmbysje të rendit kushtetues;
    8. duhet të jetë e pajisur me titullin;
    9. artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, autori i kompozimit muzikor si dhe autori i tekstit duhet të jenë me kombësi shqiptare;
  5. Një artist interpretues në cilësinë e këngëtarit merr pjesë në konkurrim me vetëm 1 (një) këngë.
  6. Një autor i kompozimit muzikor mund të marrë pjesë në konkurrim përkatësisht me jo më shumë se 2 (dy) kompozime muzikor, dhe me disa bashkëpunime me kompozitor muzikorë.
  7. Një autor teksti mund të marrë pjesë në konkurrim përkatësisht me jo më shumë se 2 (dy) tekste dhe me disa bashkëpunime me autorë tekstesh.
  8. Komisioni Përzgjedhës i Këngëve kryen përzgjedhjen e këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival përmes procesit të vlerësimit të plotë të këngëve konkurruese. Procesi i vlerësimit kryhet në ambientet e caktuara nga RTSH-ja. Secilës prej këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival i vendoset një numër dhe anëtarët e Komisionit Përzgjedhës të Këngëve dëgjojnë këngët pjesëmarrëse konkurruese pa u njohur me autorin e kompozimit muzikor, autorin e tekstit, interpretuesin (këngëtarin) apo aranxhuesin (orkestruesin).
  9. Pas dëgjimit të këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival, anëtarët e Komisionit Përzgjedhës të Këngëve bëjnë vlerësimin e tërësisë së këngës si dhe të të gjitha elementeve përbërës të këngës (kompozim muzikor, tekst, interpretim, aranxhim (orkestrim)), përmes analizimit se çfarë përfaqëson dhe çfarë sjell kënga në Festival, si dhe duke konstatuar nëse në përmbajtjen e kompozimit muzikor ka përmbajtje të ndonjë kompozimi tjetër muzikor me apo pa tekst apo vepre muzikore të çfarëdollojtë, pavarësisht nëse është e shprehur përmes notave apo përmes ndonjë formë tjetër, që shkel të drejtat e palëve të treta.
  10. Vlerësimi i këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival kryhet duke u bazuar në kriteret artistike profesionale, të cilat lidhen me faktin, nëse këngët janë të përshtatshme për në Festival, nëse elementët përbërës të këngës janë të harmonizuara midis tyre, nëse këngët janë në tonalitetin e duhur, nëse kanë melodi dhe janë të bukura, apo nëse këngët pasqyrojnë zhvillimin e muzikës qoftë shqiptare, qoftë ndërkombëtare.
  11. Secili prej anëtarëve të Komisionit Përzgjedhës të Këngëve voton numrin me këngën që dëshiron që të kualifikohet në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  12. Në përfundim të përllogaritjes së pikëve të secilit prej anëtarëve të Komisionit Përzgjedhës të Këngëve, bëhet renditja përfundimtar e këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival.
    Këngët që kanë marrë më shumë vota, janë këngët që kualifikohen për pjesëmarrje në festival. Në rast se në përfundim të procesit të përzgjedhjes, ka këngë që kanë pikë të barabarta, anëtarët e Komisionit kanë diskrecion të plotë dhe të pavarur për të përzgjedhur mes tyre këngët që do të kualifikohen si pjesëmarrëse në Festival.
  13. Në përfundim të të gjithë procesit të përzgjedhjes të këngëve pjesëmarrëse në Festival, anëtarët e Komisionit Përzgjedhës të Këngëve njihen me autorin e kompozimit muzikor, autorin e tekstit, interpretuesin (këngëtarin) dhe aranxhuesin (orkestruesin).
  14. Në përfundim, Komisioni Përzgjedhës i Këngëve përgatit procesverbalin e vlerësimit për të konfirmuar se cila këngë kualifikohet për konkurrim, duke bërë renditjen përfundimtare të të gjitha këngëve, të cilat janë paraqitur në RTSH.
  15. Vendimi i Komisionit Përzgjedhës të Këngëve për përzgjedhjen dhe kualifikimin e këngëve në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit Përzgjedhës të Këngëve.
  16. Kompozimi muzikor i këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival duhet të jetë krijim artistik, intelektual dhe origjinal në të gjithë përmbajtjen e tij. Teksti i këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival duhet të jetë krijim intelektual origjinal në të gjithë përmbajtjen e tij.
  17. Në rast se gjatë procesit të përzgjedhjes konstatohet se në përmbajtjen e kompozimit muzikor dhe/ose në përmbajtjen e tekstit të këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival ka pjesë të ndonjë krijimi tjetër, që cenon të drejtat e palëve të treta, Komisioni Përzgjedhës i Këngëve ka të drejtë që të skualifikojë këngën nga kualifikimi për në fazën e konkurrimit, duke bërë shënimin përkatës në procesverbal.
  18. Në rastin kur prania e ndonjë krijimi tjetër, që cenon të drejtat e palëve të treta dhe që është i pranishëm në përmbajtjen e kompozimit muzikor dhe/ose në përmbajtjen e tekstit të këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival, konstatohet pas vendimit të komisionit përzgjedhës të këngëve për përzgjedhjen e këngëve konkurruese në Festival, por përpara zhvillimit të Festivalit, Komisioni Përzgjedhës i Këngëve i propozon Drejtorit të Festivalit përjashtimin e këngës. Drejtori i Festivalit vendos përjashtimin e këngës nga konkurrimi në Festival.

 

Neni 14

Përjashtimi i këngës pjesëmarrëse konkurruese nga Festivali

  1. Në rastin kur gjatë zhvillimit të Festivalit, konstatohet se ndonjë krijimi tjetër, që cenon të drejtat e palëve të treta, është i pranishëm në përmbajtjen e kompozimit muzikor dhe/ose në përmbajtjen e tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, Juria e Festivalit i propozon Drejtorit të Festivalit përjashtimin e këngës.
  2. Drejtori i Festivalit, pas konsultimit edhe me Drejtorin Artistik, vendos përjashtimin e këngës nga konkurrimi në Festival, si dhe njofton Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së për fillimin e procedurave administrative dhe ligjore kundër titullarit të të drejtave të kompozimit muzikor të këngës dhe/ose kundër titullarit të të drejtave të tekstit të këngës, sipas parashikimeve në kontratë.
  3. Pika 2 e këtij neni zbatohet edhe në rastin kur vërtetohet se kënga pjesëmarrëse konkurruese në Festival është komunikuar në publik përpara paraqitjes së saj për konkurrim, në cilëndo veprimtari artistike, program radio ose program televiziv, reklamë ose vepër tjetër audiovizuale.
  4. Në rast se artisti interpretues i këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival tërhiqet nga interpretimi i këngës në Festival, atëherë Drejtori i Festivalit vendos përjashtimin e këngës nga Festivali.
  5. Pika 4 e këtij neni zbatohet edhe në rastin kur artisti interpretues i këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, interpreton para nisjes së Festivalit dhe/ose gjatë procesit të përzgjedhjes, pjesërisht ose plotësisht këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, në cilëndo veprimtari artistike, program radio ose program televiziv, reklamë ose vepër audiovizuale.

 

Neni 15

Këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival

  1. RTSH-ja nënshkruan për secilën këngë kontratë me:
    1. me autorin e kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival,
    2. me autorin e tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival,
    3. me artistin interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
    4. d) orkestruesin (aranxhuesin) e këngës pjesëmarrëse në Festival.
  2. Titulli i këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival mund të ndryshohet deri para nisjes së Festivalit me vendim të Drejtorit të Festivalit.
  3. Në rast se ndonjë ose të gjithë personat e përmendur në pikën 1 të këtij neni, për shkaqe subjektive, nuk nënshkruan/jnë kontratën me RTSH-në, atëherë Drejtori i Festivalit vendos përjashtim e këngës së tij/tyre nga konkurrimi në Festival.
  4. Në rast se ndonjë ose të gjithë personat e përmendur në pikën 1 të këtij neni, pas nënshkrimit të kontratës me RTSH-në, zgjidh/in kontratën e nënshkruar, atëherë:
    1. kënga përjashtohet në mënyrë të menjëhershme nga pjesëmarrja e saj në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival,
    2. personi apo personat e përmendur në pikën 1 të këtij neni, detyrohet/n që të dëmshpërblejë/në RTSH-në.

 

Neni 16

Zhvillimi i Festivalit

  1. Këngët pjesëmarrëse konkurruese në e Festivalin e 63 do të jenë jo më shumë se 30 (tridhjetë) këngë. Radha e interpretimit të artistëve konkurrues në katër netët e Festivalit si dhe kategorizimi i tyre në artist debutues dhe jodebutues do të përcaktohet në skenarin e Festivalit.
  2. Në natën e parë të Festivalit interpretohen jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) këngë pjesëmarrëse konkurruese të Festivalit. Në fund të natës së parë do të publikohen votat e publikut dhe të Jurisë së Festivalit për artistët interpretues konkurrues të natës së parë.
  3. Në natën e dytë të Festivalit interpretohen jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) këngë pjesëmarrëse konkurruese të Festivalit. Në fund të natës së dytë do të publikohen votat e publikut dhe të Jurisë së Festivalit për artistët interpretues konkurrues të natës së dytë.
  4. Në natën e tretë të Festivalit, e cila do të jetë nata e nostalgjisë, do të performojnë të 30 (tridhjetë) artistët konkurrues. Në fund të natës së tretë do të shpallen jo më shumë se 18 (tetëmbëdhjetë) këngë konkurruese finaliste bazuar në votat e publikut dhe Jurisë së Festivalit.
  5. Në natën finale të Festivalit do të interpretohen jo më shumë se18 (tetëmbëdhjetë) këngë konkurruese të kualifikuara. Në natën finale të Festivalit, Juria e Festivalit do të votojë për këngën fituese të Çmimit të Parë të Festivalit, këngën fituese të Çmimit të Dytë të Festivalit, këngën fituese të Çmimit të Tretë të Festivalit, këngën fituese të Çmimit “Teksti më i mirë” dhe këngën fituese të Çmimit të “Kritikës”.
  6. Në natën finale të Festivalit, Publiku do të votojë me anë të Televotimit për të zgjedhur bashkë me pikët e jurisë Këngën Fituese të Fest 63, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurosong 2025.
  7. Në secilën prej netëve konkurruese të Festivalit mund të interpretohen ose ekzekutohen vepra artistike, kryesisht muzikore, numri i të cilave përcaktohet nga Drejtori Artistik i Festivalit dhe nga Regjisori i Festivalit.

 

Neni 17

Abuzime në skenën e Festivalit

  1. Autorët e teksteve, autorët e kompozimeve muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival, artistët interpretues dhe/ose ekzekutues në cilësinë e aktorëve, këngëtarëve të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival, muzikantët, instrumentistët, valltarët, dirigjentët e orkestrës ose të korit, anëtarët e bandës muzikore, të cilët paraqesin, aktrojnë, këndojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë, drejtojnë orkestrën ose bandën muzikore, të cilët shfaqin në mënyra të tjera vepra letrare dhe artistike apo shfaqje të çdo lloji në Festival, si dhe drejtuesit (prezantuesit) e Festivalit, ndalohen që në skenën e Festivalit:
    1. të bëjnë çfarëdolloj deklarate politike, fetare, raciste, dhune, urrejtje, diskriminuese, antikushtetuese, apo çfarëdolloj deklarate kundër RTSH-së si dhe çfarëdolloj deklarate, që nuk ka lidhje me Festivalin;
    2. të kryejnë veprime, shenja, gjestikulacione, që përbëjnë sjellje të papërshtatshme, të pahijshme dhe që bien ndesh me etikën dhe komunikimin me publikun,
    3. të mbajnë veshje, simbole dhe model flokësh në kundërshtim me parimet e sjelljes së mirë dhe etikën në skenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;
    4. të mbajnë veshje jo të përshtatshme dhe të pahijshme për publikun apo që mund të kenë në mënyrë të dukshme simbole, fjalë të cilat përbëjnë reklamim të produkteve ose të shërbimeve.
  2. Për çdo veprim të kryer në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni, personi dëmshpërblen RTSH-në me shumën deri në 1,000,000.00 (një milion) lekë, kurse kënga, në të cilën personi merr pjesë si autor i tekstit, autor i kompozimit muzikor, artist interpretues në cilësinë e këngëtarit, me vendim të Drejtorit të Festivalit përjashtohet në mënyrë të menjëhershme nga pjesëmarrja e saj në Festival;
  3. Në rast se personi që kryen veprimin në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni, është muzikant, instrumentist, valltar, dirigjent i orkestrës, bandës muzikore, ose i korit, i cili paraqet, aktron, këndon, reciton, luan, interpreton, ekzekuton, drejton orkestrën ose bandën muzikore, që shfaq në mënyra të tjera vepra letrare dhe artistike apo shfaqje të çdo lloji në Festival, drejtues (prezantues) i Festivalit, atëherë Drejtori i Festivalit vendos përjashtimin e personit nga Festivali.

 

Neni 18

Elementë të shoqërimit

Nëse në provën e parë në skenën e Festivalit, artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, ka përdorur elemente shoqëruese në këngë (p.sh. balet, muzikantë të shtuar etj.), këto elementë shoqërues nuk mund të ndryshohen më pas, pa miratimin e Drejtorit Artistik të Festivalit.

 

Neni 19

Programet radio dhe programet televizive, që lidhen me Festivalin

  1. Autorët e teksteve dhe të kompozimeve muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival dhe artistët interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndojnë këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival, janë të detyruar që të marrin pjesë, pa pagesë, në programet radio dhe programet televizive prodhime të RTSH-së, që lidhen me Festivalin.
  2. Artistët interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndojnë këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival, nëse kërkohet nga RTSH-ja, janë të detyruar që të marrin pjesë, pa pagesë, në realizimin dhe prodhimin e reklamave televizive promovuese të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, si dhe të vetë Festivalit.

 

Neni 20

Festivali Evropian i Këngës (Eurovision Song Contest)

  1. Kënga fituese dalë nga Vlerësimi i jurisë dhe Votimi i Publikut përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest 2025).
  2. Në rast se artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën fituese të dalë nga Vlerësimi i jurisë dhe Votimi i Publikut, tërhiqet nga pjesëmarrja në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest), atëherë RTSH-ja ka të drejtë që ta zëvendësojë me këngën e dytë në radhë që ka fituar më shumë pikë nga juria dhe vota nga publiku. Në rast se edhe ky tërhiqet nga pjesëmarrja në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest), atëherë RTSH-ja ka të drejtë që ta zëvendësojë me këngën e tretë në radhe që ka fituar më shumë pikë nga juria dhe vota nga publiku. Në rast se edhe ky tërhiqet nga pjesëmarrja në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest), atëherë RTSH-ja ka të drejtë që ta zëvendësojë me njërën prej këngëve fituese të natës finale të Festivalit. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe në rastin kur kënga fituese e Festivalit, këndohet në cilësinë e këngëtarit nga më shumë se një artist interpretues.
  3. Kënga fituese e Festivalit që përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision Song Contest) do t’i nënshtrohet rregullave dhe procedurave të paraqitjes në përputhje me rregulloren e ESC-së dhe do detyrohet të respektojë standardet dhe detyrimet kontraktuale që RTSH-ja përcakton për një përfaqësim të denjë në ESC.
  4. RTSH-ja përcakton nivelin e marrëdhënies së përfaqësuesit/grupit të përfaqësimit në Festival në të cilën përfshihen të drejta dhe detyrimet e përfaqësuesit dhe RTSH-së.
  5. RTSH-ja përcakton në mënyrë ekskluzive buxhetin e pjesëmarrjes në ESC për këngën fituese. RTSH-ja, në rastet kur e sheh të nevojshme, mund të konsultoje artistin interpretues, autorin e tekstit dhe autorin e kompozimit muzikor ne lidhje me buxhetin.

 

Neni 21

Provat

  1. Provat e Festivalit fillojnë në datën, orën dhe në vendin, sipas kalendarit të detajuar që caktohet nga Drejtori Artistik i Festivalit në bashkëpunim me Producentin Muzikor të Festivalit dhe Drejtuesit të Bandës Muzikore të Festivalit. Data dhe vendi i provave të Festivalit komunikohet përmes njoftimeve publike në RTSH. Artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival është i detyruar që të marrë pjesë në të gjitha provat e përcaktuara në kalendar, të cilat lidhen me këngën e tij. Detyrimi i përcaktuar në këtë paragraf përfshin edhe provën e përgjithshme të Festivalit.
  2. Nëse artisti interpretues, në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, përdor elemente shoqëruese në këngë (p.sh. balet, muzikantë të shtuar etj.), atëherë është i detyruar që të mundësojë praninë e tyre në ditët e provave të Festivalit sipas kalendarit. Detyrimi i përcaktuar në këtë paragraf përfshin edhe provën e përgjithshme të Festivalit.
  3. Kalendari për provat në skenën e Festivalit, për datën dhe orën vendoset nga Drejtori Artistik i Festivalit në bashkëpunim me Drejtuesin Artistik të Festivalit dhe Drejtuesin e Bandës Muzikore të Festivalit. Gjatë provave në skenën e Festivalit të artist interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, përveç artistit interpretues do të lejohen të jenë të pranishëm edhe autori i tekstit dhe autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival. Në rast të mos respektimit të orareve të vendosura, artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, humb provën dhe kalon provën në fund të sesionit të provave. Në rast përsëritje të mos respektimit të orareve të vendosura Drejtori të Festivalit vendos përjashtimin e këngës, nga konkurrimi në Festival si dhe inicion fillimin e procedurave administrative.
  4. Anëtarët e stafit të artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival (hairdressers, artistë make-up, staf i ndryshëm) do të lejohen të jenë të pranishëm gjatë provave në skenën e Festivalit vetëm në bazë të lejes që lëshohet nga Drejtori i Festivalit.

 

Neni 22

Shpërndarja e informacioneve në lidhje me Festivalin

Çdo lloj informacioni që lidhet me këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival, me artistin interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, me autorët e tekstit dhe të kompozimit muzikor të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, me publikimin e pjesëve audio/video të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, si dhe çdo informacion tjetër në lidhje me Festivalin, shpërndahet përmes mediave të RTSH, duke përfshirë faqet elektronike të RTSH-së, si dhe llogaritë e RTSH-së në rrjetet sociale.

 

Neni 23

Shqyrtimi i kërkesave ose i ankesave

  1. Çdo kërkesë ose ankesë në lidhje me procedurat e parashikuara në këtë rregullore shqyrtohet nga Drejtori i Festivalit. Kërkesa ose ankesa duhet të jetë e shoqëruar me prova. Kërkesa ose ankesa së bashku me provat dorëzohet në adresën vijuese:

Radio Televizioni Shqiptar
Rruga “Ismail Qemali”, nr. 11
Tiranë
Republika e Shqipërisë

  1. Kërkues ose ankues mund të jenë:
    1. (i) artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
    2. autori i tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
    3. autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  2. Kërkesa ose ankesa drejtuar Drejtorit të Festivalit bëhet me shkrim në gjuhën shqipe. Kërkesa ose ankesa shqyrtohet brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes.
  3. Përgjigja ndaj kërkesës ose ndaj ankesës bëhet me shkrim në gjuhën shqipe dhe dorëzohet tek kërkuesi ose ankuesi përmes protokollit të RTSH-së.

 

Neni 24

Deklaratat dhe të drejtat

Autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, autori i tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, autori i orkestrimit (aranxhimit) të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival deklarojnë se i takojnë RTSH-së në formë ekskluzive, pa kufizime në afate kohore dhe territor, të gjitha të drejtat e shfrytëzimit në lidhje me:

  1. regjistrimet audio dhe regjistrimet audiovizuale, të cilat përmbajnë imazhin, zërin, interpretimin e artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival gjatë provave të Festivalit;
  2. fotografitë, të cilat përmbajnë imazhin e artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival gjatë provave të Festivalit si dhe gjatë konkurrimit në Festival;
  3. regjistrimet audio dhe regjistrimet audiovizuale të intervistave të autorit të kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, të autorit të tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, të artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, në programet radio dhe në programet televizive, cilat prodhohen nga RTSH.

 

Neni 25

Të drejtat e shfrytëzimit të Festivalit

  1. RTSH-ja, në cilësinë e prodhuesit të Festivalit, është zotëruesi i vetëm i të gjitha të drejtave ekskluzive të shfrytëzimit pasuror të Festivalit si dhe i pjesëve të veçanta të tij.
  2. RTSH-ja është zotëruesi i vetëm i të gjitha të drejtave ekskluzive vijuese:
    1. e drejta e riprodhimit dhe e drejta për të autorizuar riprodhimin në kopje të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, qoftë pjesërisht ose plotësisht, qoftë drejtpërdrejtë apo tërthorazi, në mënyrë të përkohshme ose të përhershme, në çfarëdolloj forme dhe mjeti, përfshirë regjistrimin audio ose video, si dhe ruajtjen e përkohshme apo të përhershme të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
    2. e drejta e shpërndarjes dhe e drejta për të autorizuar shpërndarjen e kopjeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, nëpërmjet shitjes apo tjetërsimeve të tjera që i ofrohen publikut me këtë qëllim, si dhe importimin, eksportimin, shpërndarjen e kopjeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
    3. e drejta e dhënies me qira dhe e drejta për të autorizuar dhënien me qira për një periudhë të kufizuar kohore të kopjeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
    4. e drejta e komunikimit në publik dhe e drejta për të autorizuar komunikimin në publik të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, e drejtë që përfshin në veçanti:
      1. të drejtën e shfaqjeve publike të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
      2. të drejtën e përcjelljes në publik të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit tek publiku që nuk është i pranishëm në vendin ku zhvillohet Festivali dhe tek i cili përcillet me anë të altoparlantit, ekranit apo mjeteve të tjera teknike;
      3. të drejtën e transmetimit për publikun të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, që përfshin përcjelljen me anë të çdo mënyre riprodhimit të sinjaleve, tingujve ose pamjeve dhe/ose tingujve dhe pamjeve njëherësh, me ose pa tel, për marrjen e tyre nga publiku në mënyrë që: (i) transmetimi i sinjaleve, mbartëse të Festivalit dhe të pjesëve veçanta të Festivalit, që i ofrohet publikut, të mundësohet nëpërmjet pajisjeve për çkodim të sinjaleve nga një ofrues i shërbimit mediatik audioviziv ose nga një palë e tretë e autorizuar prej saj; (ii) futja e sinjaleve, mbartëse të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, që synohet të merren nga publiku, të mundësohet nga zinxhiri i pandërprerë i përcjelljes që, nën përgjegjësinë e shoqërisë transmetuese, përcillet në satelit dhe zbret drejt tokës;
      4. të drejtën e ritransmetimit të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, e cila nënkupton të drejtën për përcjelljen në publik në mënyrë të pa tjetërsuar, të pandërprerë, të njëkohshme të transmetimit të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit: (i) kur bëhet nga një ofrues shërbimi mediatik audioviziv (OSHMA) te një tjetër ofrues shërbimi mediatik audioviziv; (ii) kur bëhet nga sistemi me kabëll ose mikrovalor për marrjen nga publiku të transmetimit që vjen nga një tjetër ofrues shërbimi mediatik audioviziv (ritransmetimi kabllor);
      5. të drejtën e vënies së Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit në dispozicion të publikut, që kupton të drejtën për të përcjellë në publik Festivalin dhe pjesët e veçanta të Festivalit, me tek ose pa tel, në mënyrë të tillë që të jetë e arritshme për pjesëtarët në vendin dhe në kohën e zgjedhur prej tyre;
      6. të drejtën për të vënë në dispozicion për përdorim Festivalin dhe pjesët e veçanta të Festivalit për një periudhë të kufizuar kohe dhe jo për përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta pasurore ose tregtare, përmes institucioneve që lejojnë aksesin e publikut dhe që për këtë qëllim, kryejnë këtë aktivitet si shërbim publik;

3. RTSH në cilësinë e ofruesit të shërbimit mediatik audioviziv (OSHMA) gëzon të drejtën ekskluzive për të autorizuar ose ndaluar veprimet vijuese, që kanë të bëjnë me:

    1. fiksimin e transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, nëse këto transmetime janë të transmetueshme me tel ose pa tel, duke përfshirë transmetimin kabllor ose me satelit;
    2. riprodhimin e fiksimeve të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
    3. shpërndarjen e fiksimeve të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
    4. ritransmetimin e transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit me tel ose pa tel;
    5. përcjelljen në publik të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit në vendet ku kërkohet tarifë;
    6. vënien në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese të fiksimeve të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
    7. shpërndarjen e fiksimit të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit.

 

Neni 26

Të fundit

  1. Asnjë prej dispozitave të kësaj Rregulloreje nuk mund të interpretohet në mënyrë të veçuar nga njëra-tjetra.
  2. Përcaktimet në këtë Rregullore interpretohen pa u ndalur në kuptimin letrar të fjalëve, por duke pasur parasysh qëllimin e vërtetë të hartimit dhe miratimit të saj.
  3. Në këtë Rregullore, të gjitha referencat ndaj gjinisë përfshijnë të gjitha gjinitë, dhe fjalët që janë vetëm në numrin njëjës përfshijnë dhe shumësin dhe anasjellas.
  4. Ndarja e kësaj Rregulloreje në nene, pika dhe nënndarje të tjera dhe vendosja e titujve, shërbejnë vetëm për lehtësi reference dhe as ndikojnë e as përdoren gjatë të kuptuarit apo interpretimit të kësaj Rregulloreje.
  5. Kushtet e kësaj Rregulloreje interpretohen njëri nëpërmjet tjetrit, duke i dhënë secilit kuptimin që del nga tërësia e saj. Në rast dyshimi, Rregullorja ose kushtet e saj interpretohen në kuptimin në të cilin mund të kenë ndonjë efekt dhe jo në atë, sipas të cilit nuk do të kishte ndonjë efekt.

 

Neni 27

Hyrja në fuqi

  1. Rregullorja hyn në fuqi me miratimin e saj nga Këshilli Drejtues i RTSH.
  2. Rregullorja ndryshohet me propozim të Drejtorit të Festivalit dhe miratim të KD të RTSH.

 

ZV. DREJTORI I PËRGJITHSHËM I RTSH

Aurora Polo