Festivali i RTSH, një skenë e rëndësishme për karrierën e artistëve. 28 këngëtarë në garë, emocionet nisin që me lajmin e përzgjedhjes

Festivali i Këngës në RTSH mbetet një nga skenat më të rëndësishme të muzikës shqiptare, ku pjesëmarrja nuk është thjesht një garë mes këngëve, por edhe një mundësi për të dëshmuar vlerat artistike dhe për të shënuar momente të rëndësishme në karrierë. Për artistët që kanë vite në skenë, është një tjetër sfidë përballë publikut,…

Festivali i Këngës në RTSH mbetet një nga skenat më të rëndësishme të muzikës shqiptare, ku pjesëmarrja nuk është thjesht një garë mes këngëve, por edhe një mundësi për të dëshmuar vlerat artistike dhe për të shënuar momente të rëndësishme në karrierë. Për artistët që kanë vite në skenë, është një tjetër sfidë përballë publikut, ndërsa për emrat e rinj, një mundësi e veçantë për t’u afirmuar dhe për të bërë hapin e radhës në rrugëtimin e tyre muzikor.

“Pak më i përgatitur duke ditur se si funksionojnë gjërat edhe thjesht të vij pak më i sigurt në materialin që kam zgjedhur edhe në gjithë konceptin e këngës”, tha konkurrenti Algert Sala.

“Për mua ka interes të dali kënga me dinjitet. Mesazhi shumë i qartë i këngës. Rryma është një nga të rrallat që është rrahur, të pakt këto vite, flas për kompeticionet si festivali”, tha këngëtari Adhurim Demiri.

“Festivali i RTSH-së është një nga më prestigjiozët, më dinjitozët domethënë që të çon më lart sesa ku je nga të gjithë kompeticionet që ka Shqipëria”, u shpreh këngëtari Gjergj Jorgaqi.

“Qëllimi im i vetëm ka qenë gjithmonë që unë të dal edhe të mbroj materialin tim me dinjitet dhe të dal sa më mirë”, tha këngëtarja Sara Bajraktari.

Por, për artistët  emocionet nisin shumë më herët se ngjitja në skenë. Për artistët, lajmi se do të ishin pjesë e edicionit të 65-të erdhi me ndjesi të veçanta. Surpriza, gëzimi dhe përgjegjësia për të qenë pjesë e një festivali me një histori të gjatë janë disa prej emocioneve që ata ndajnë gjatë provave.

“Në një moment thashë njëherë mos po më bëjnë sytë. Isha në mësim, ishte pak kështu shok dhe mu desh ta përmbaja veten në orë të mësimit, por pastaj më vonë shpërtheva”, rrëfeu konkurrentja Ana Bushgjokaj.

“Në fakt më lajmëruan që isha pjesë e festë 65 pasi e kishin parë listën para meje. Kështu që gëzimi im ishte jashtë mase i madh”, u shpreh Algert Sala.

“Kur dolën listat unë isha me pushime në Egjipt edhe me thënë të drejtën edhe u gëzova, por edhe më kapi një ankth se duke menduar gjithë ato gjëra që kisha për të bërë kur të kthehesha edhe po më thonin shoqëria që kisha shkuar në Egjipt që qetësohu, pusho njëherë pastaj kur të kthehesh mendoj këto gjërat se ka kohë”, tregoi Sara  Bajraktari.

Këtë vit, gara e Festivalit të 65-të bashkon 28 artistë, ndërsa pritshmëritë për edicionin jubilar rriten me çdo ditë që kalon. Në ditët në vijim do të zbulohen detaje të reja mbi festivalin, duke plotësuar gradualisht mozaikun e këtij edicioni, deri në netët e shumëpritura kur këngët dhe interpretimet do të marrin vëmendjen e publikut.

/rtsh.al/