Nata e dytë e Fest 63, e cila nis sonte në Pallatin e Kongreseve, do të sjellë të tjera emocione, të tjerë zëra në garë, të cilët synojnë që të marrin trofeun e fituesit të Festivalit mbarë kombëtar të muzikës së lehtë shqiptare. Këngëtarët, të cilët shoqërohen në interpretimet e tyre skenike nga Orkestra Simfonike RTSH-së, pritet të sjellin jo vetëm kolore të ndryshme vokale, por të dhurojnë edhe performanca në skenë, të cilat do të pasurojnë edhe më shumë vlerat e krijimeve muzikore.
Në natën e dytë, ashtu si edhe në natën e parë, e cila do tw moderohet po nga Ornela Bregu dhe Enkel Demi, do të jenë në garë 15 këngëtarë, duke filluar që nga deputuesit që ngjiten për herë të parë në skenë, ashtu edhe nga zëra të tjerë, të cilët kanë një traditë jo të vogël pjesëmarrje, madje duke qenë edhe fitues të Festivalit.
Në nisje Elton Deda, nën tingujt e muzikës së këgës të kompozuar nga Agim Krajka, ‘Nuk e harroj’, kënduar nga motrat Irma dhe Eranda Libohova, fituese të Fest 26, ka prezantuar edhe bendin muzikor, i cili, së bashku me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, do të shoqërojë këngëtarët gjatë performancave të tyre.
Por nata e dytë e Fest 63 nuk do të ketë vetëm konkurrentë në garë, por edhe këngëtar dhe balerinë, të cilët do ta pasurojnë akoma më shumë këtë mbrëmje unike të muzikës shqiptare të të gjitha trojeve. Nata e dytë do sjellë në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur, Aleksandër Gjoka dhe balerinën, Klaudia Pepa, si të ftuar special.
15 artistët në garë që do performojnë në natën e dytë të Fest 63:
- Algert Sala
2. Devis Xherahu
3. Elvana Gjata
4. Endrik Beba
5. Epos
6. Frensi Revania
7. Gjergj Kaçinari
8. Gresa Gjocera
9. Klea Dina
10. Laorjan Ejlli & Adelina Correj
11. Mal
12. Rea Nuhu
13. Santino de Bartolo
14. Stine
15. Vesa Smolica
Juria
Ashtu si edhe në natën e parë të Fest 63, edhe 15 interpretimet e reja të këngëtarëve do të ndiqen nga juria profesioniste e Festivalit. Ajo përbëhet nga disa prej personaliteteve të njohura në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.
Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë : Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.
Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.
Festivali i 63 i Këngës wshtw një ngjarje muzikore plot sfida, por edhe me shumë mundësi për të gjithë artistë ambiciozë që duan të promovohen jo vetëm në Shqipëri, por dhe në skenën evropiane.