Një japoneze nga Parisi ngjitet në Festivalin e Këngës për t’i kënduar Tiranës!
  • e hënë, 25 nëntor 2019

Një japoneze nga Parisi ngjitet në Festivalin e Këngës për t’i kënduar Tiranës!

Konfirmimi i emrit të artistit franko-shqiptar, Genc Tukiçi në Festivalin e 58-të të Këngës do të ishte një nga lajmet e mira të këtij edicioni… por ajo që do të rriste interesin për pjesëmarrjen e kantauatorit do të ishte e bija, Nadia, me të cilën do të konkurrojë përballë 19 konkurrentëve të tjerë.

Nadia është vetëm 17 vjeçe, por ka trashëguar talentin e të atit në muzikë, ku gëzon një vokal impresionues dhe një talent në piano. E nëse nga babai, Nadia ka trashëguar talentin në muzikë, nga e ëma ka arritur të marrë të gjitha tiparet fizike të një vajze japoneze, e cila jeton në qytetin e dashurisë dhe artit, Paris.

“Ju flet Tirana” – është titulli i duetit të Gencit dhe Nadias, që do të kthehet në himnin modern të kryeqytetit shqiptar… jo vetëm këtë vit, por edhe gjatë viteve që do të pasojnë.

Genci dhe Nadia do të arrijnë të sjellin për publikun shqiptar një hit me aromë Evrope, të cilin do të doni ta shijoni për shumë gjatë…