Emocionet e dirigjentëve në “Fest 65”, larmia muzikore dhe përgjegjësia e tyre në skenën e këtij edicioni jubilar

Përgatitjet për Festivalin e 65-të të Këngës vijojnë në sallën e provave të RTSH-së. Krahas artistëve dhe orkestrës, një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë edhe dirigjentët, të cilët përmes interpretimit të tyre muzikor i japin jetë dhe karakter çdo kënge. Repertori i këtij edicioni sjell një larmi stilesh dhe zhanresh muzikore. Dirigjenti Olsi…

Përgatitjet për Festivalin e 65-të të Këngës vijojnë në sallën e provave të RTSH-së. Krahas artistëve dhe orkestrës, një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë edhe dirigjentët, të cilët përmes interpretimit të tyre muzikor i japin jetë dhe karakter çdo kënge.

Repertori i këtij edicioni sjell një larmi stilesh dhe zhanresh muzikore. Dirigjenti Olsi Qinami ndalet te veçantia e këngëve që do të interpretohen këtë vit, ndryshimet mes tyre dhe mënyra se si kjo larmi reflektohet në punën me orkestrën.

“Kemi disa javë që kemi filluar provat. Ka prurje interesante. Shumë prej tyre janë këngëtarë të rinj, por ka gjithashtu edhe këngëtarë të njohur për publikun. Janë këngë të bukura, me kontraste të ndryshme. Ka edhe këngë, të themi, deri diku pak rock. Do të shohim, jemi ende në fillim, por prurjet duken interesante. Jemi duke punuar fort, me prova çdo ditë”, u shpreh dirigjenti.

Pas çdo interpretimi që publiku do të shohë në skenë, qëndron një punë intensive në prova dhe një proces i gjatë përgatitjeje. Për dirigjentin, çdo detaj ka rëndësi, ndërsa përgjegjësia bëhet edhe më e madhe kur vjen momenti i Festivalit.

“Po, si çdo vit, ne kthehemi nga dirigjentë të orkestrës simfonike në dirigjentë të orkestrës simfonike për këngë dhe bend. Është një angazhim tjetër, ndryshe. Ka goxha më shumë punë, pasi jemi çdo ditë në prova dhe ka shumë këngë. Pastaj, kur fillon shfaqja, përballë kemi direkt publikun, kështu që është diçka ndryshe, por, pak a shumë, ky është profesioni ynë si dirigjentë”, tha ai.

Janë ditë të ngarkuara, ku puna dhe përkushtimi ndërthuren me emocionin e një ngjarjeje të veçantë. Por përtej lodhjes dhe përgjegjësisë, mbetet kënaqësia për të qenë pjesë e një tradite që prej 65 edicionesh bashkon artistët dhe muzikën në një skenë të vetme.

/rtsh.al/