Kela Kurcani, skenaristja e festivalit të 65-të. Nostalgji, rikthime dhe të ftuar specialë në festivalin jubilar
Pas konceptit dhe rrëfimit skenik të Festivalit të 65-të të Këngës në RTSH qëndron skenaristja Kela Kurcani. Në këtë edicion jubilar, historia e Festivalit do të ndërthuret me emocionet e së tashmes, duke rikthyer në vëmendje artistët dhe krijimet që kanë lënë gjurmë ndër vite në këtë skenë. Përgjatë katër netëve, skenari do të rezervojë…
Pas konceptit dhe rrëfimit skenik të Festivalit të 65-të të Këngës në RTSH qëndron skenaristja Kela Kurcani. Në këtë edicion jubilar, historia e Festivalit do të ndërthuret me emocionet e së tashmes, duke rikthyer në vëmendje artistët dhe krijimet që kanë lënë gjurmë ndër vite në këtë skenë.
Përgjatë katër netëve, skenari do të rezervojë një hapësirë të veçantë për historinë 65-vjeçare të Festivalit. Këngëtarë, poetë dhe kompozitorë që kanë lënë gjurmë në këtë rrugëtim do të rikthehen në vëmendjen e publikut, ndërsa materiale nga arkivi do të sjellin sërish emocione dhe interpretime të paharrueshme.
Ndërsa publiku pret me interes këngët konkurruese, ato pritet të bëhen publike në fund të nëntorit ose në ditët e para të dhjetorit.
Këngët konkurruese do të sjellin një mozaik të pasur rrymash dhe stilesh muzikore, që do të shoqërojnë katër netët e Festivalit. Nga baladat dhe pop-baladat, te rroku e blues-rock-u dhe deri te krijimet që ndërthurin disa zhanre në një material të vetëm muzikor. Një repertor me ngjyra dhe ritme të ndryshme, ku interpretimet do të vijnë të shoqëruara live nga Orkestra e RTSH-së.
Të ftuar specialë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, do t’i bashkohen gjithashtu këtij edicioni të festivalit të këngës , duke sjellë në skenë emra të njohur, rikthime dhe performanca që pritet të ngjallin interesin e publikut.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/