Instrumentistët, zëri që shoqëron historinë e Festivalit të Këngës/Nga kujtimet te skena e sotme, rrëfejnë vituozet e Orkestrës së RTSH-së
Përpara se këngët të mbërrijnë te publiku, përpara se dritat e skenës të ndizen dhe emocionet të marrin formë, janë ata që i japin jetë çdo note muzikore. Instrumentistët e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, Nderi i Kombit, cilët prej vitesh janë pjesë e pandashme e festivaleve të fund vitit, rikthehen edhe këtë dhjetor në…
Përpara se këngët të mbërrijnë te publiku, përpara se dritat e skenës të ndizen dhe emocionet të marrin formë, janë ata që i japin jetë çdo note muzikore. Instrumentistët e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, Nderi i Kombit, cilët prej vitesh janë pjesë e pandashme e festivaleve të fund vitit, rikthehen edhe këtë dhjetor në një traditë që për ta është shumë më tepër se një angazhim artistik.
“Është një punë kolosale të jesh pjesë e orkestrës. Është një përgjegjësi dhe një emocion”
“Është emocionuese dhe sigurisht që ka lodhje, por pas gjithë kësaj lodhjeje vjen edhe rezultati, i cili do të shfaqet në fund”
“Jemi në një periudhë provash intensive gjatë muajit dhjetor, si çdo vit. Unë tashmë kam 16 vite që jam pjesë e festivalit çdo vit”
“Provat janë vërtet shumë intensive dhe paksa të ngarkuara për ne, por njëkohësisht edhe shumë të bukura. Është gjithmonë një emocion shumë i veçantë.”
Për disa prej tyre, ky festival është kthyer në një takim të përvitshëm, ku përvoja ndërthuret me emocionin dhe përgjegjësinë për të qenë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në vend. Pas shumë edicionesh, secili prej tyre e përjeton në mënyrën e vet privilegjin për të interpretuar në skenën e Festivalit të Këngës.
“Viti 2010, kur ishte hera ime e parë, ka qenë një ëndërr e bërë realitet. Ka qenë dhe vazhdon të jetë një privilegj, tashmë që kam gjithë këto vite që jam pjesë e kësaj orkestre dhe e këtij festivali.”
“Ka nisur shumë herët, në vitin 2008, në Festivalin e 47-të. Unë kam qenë studente e vitit të tretë dhe, për mua, ishte diçka e jashtëzakonshme të isha pjesë e orkestrës së festivalit.”
Por vitet kanë sjellë ndryshime. Edhe festivali që ata kanë përjetuar ndër dekada nuk është më i njëjti. Nga mënyra e organizimit dhe orkestrimit, te tingulli, teknologjia dhe qasja muzikore, instrumentistët kanë qenë dëshmitarë të transformimit të këtij eventi, duke ruajtur njëkohësisht kujtimet e tyre për edicionet që kanë lënë gjurmë.
“Gjatë këtyre 16 viteve, patjetër që skenografia është bërë gjithnjë e më moderne dhe më e bukur. Edhe teknologjia është përfshirë dhe ka avancuar akoma më shumë.”
“Gjurmët më të mëdha festivali më ka lënë me këngët e Elsa Lilës, kur ajo ka dalë fituese. Unë e ndiqja në ekran dhe mendoja se ishin gjëra të paarritshme, diçka e jashtëzakonshme.”
Në një festival që çdo vit sjell zëra të rinj, këngë të reja dhe një skenë që ndryshon, ata mbeten një nga fijet që lidhin të shkuarën me të tashmen. Sepse pas çdo interpretimi të paharruar, pas çdo kënge që publiku merr me vete, është edhe puna, përkushtimi dhe muzikaliteti i atyre që i japin jetë tingullit. Instrumentistët, një pjesë e historisë së Festivalit të Këngës që vazhdon të shkruhet me nota.
/rtsh.al/