“Këndi i Fest 63”, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi sjellin prapaskenat e Natës Nostalgjike
  • e shtunë, 21 dhjetor 2024

“Këndi i Fest 63”, Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi sjellin prapaskenat e Natës Nostalgjike

Në Fest 63, çdo performancë është një magji e vogël më vete, dhe Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi janë aty për t'i dhënë publikut një shije të veçantë të asaj që ndodh pas kamerave me artistët.

Edhe në “Natën e Nostalgjisë” Andri dhe Alesia do të përcjellin jo vetëm historinë e Festivalit të Këngës ndër vite, por edhe emocionet e interpretimit të dueteve të kësaj nate plot emocione dhe kujtime.

Me një format dinamik dhe shumëngjyrësh, "Këndin i Fest 63" ofron një mundësi të shkëlqyer për të kuptuar se sa shumë punë dhe pasion fshihen pas çdo interpretimi të bukur në këtë garë të madhe të muzikës.

“Këndi i Fest 63” - Makashi: Festivali ka tjetër magji

Artisti Redon Makashi ka ndarë emocionet dhe përvojën e tij lidhur me Festivalin e Këngës, duke theksuar se ky ngjarje muzikore ka një atmosferë dhe magji të veçantë për secilin pjesëmarrës. Teksa interpretoi “Mall”, Makashi tha se dhe kur je i ftuar, emocionet janë të pashmangshme.

“Kur je i ftuar ke emocione, festivali gjithmonë ka një magji tjetër. Një organizmin fantastik, shoh një grup pune të angazhuar nga të gjitha anët dhe që kur hynë me këtë atmosferë të kap emocioni. Sa më shumë të krijosh figurën tënde , aq më shumë shtohen edhe emocionet. Festivali ka qenë jeta jonë, nga këtu kemi dalë ne si artistë.  Raporti me garant ndikon keq me krijimtarinë time. Kur hynë në një garë duhet të presësh edhe rrëzimin”, tha Makashi.

“Erë pranverore”, Serreqi dhe Stinët: Këngët nostalgjike janë si ashensori

Martina Serreqi dhe Stinët, menjëherë pas interpretimit të këngës së famshme të Vaçe Zelës ”Erë pranverore”, kanë rrëfyer me Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi në “Këndin e Fest 63”, emocionet e interpretimit të tyre skenik në Fest 63.

“Kemi pasur shumë bashkëpunim. Nuk e kisha dëgjuar më parë këngën. Një këngë shumë e veçantë. Pashë shumë që këndonin bashkë me ne.”, tha Serreqi.  

Ndërsa Stinët theksoj se u ndje shumë mirë dhe se vokalet u kombinuan.

“Kam dëgjuar shumë këngë të Vaçes. Ka këngë shumë moderne për kohën.  Këngët nostalgjike të kthejnë në kohë, ngjallin nostalgji dhe emocione. Janë si ashensori”, tha Stinët.

/rtsh.al/