Bojken Lako, kantautori i mirënjohur i skenës shqiptare do të jetë pjesë e Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH. Këtë vit ai shënon plot 10 pjesëmarrje në festival, dhe 20 vite që nga hera e tij e parë në këtë skenë.
Kënga e tij titullohet “Ma la seen”, një këngë eksperimentale në muzikë dhe me një tekst aktual.
“Këte vit dua të prezantoj një stil të ri muzikor. Kisha kohë që mendoja për këtë lloj orkestrimi. Gjithmonë më ka tërhequr ‘tingulli i ri’. Kam disa vite që nuk bëj më muzikë rock, pavarësisht se njerëzit thonë: ‘Bojken Lako, këngëtari që bën rock”. Kam disa vite që punoj me disa producentë të rinj dhe më pëlqen të eksperimentoj në muzikë me stile të reja, kryesisht në orkestrimin muzikor.”
Por një element i rëndësishëm i këngës së tij, do te jetë edhe klarineta.
“Klarineta është një instrument që mund të përdoret shumë mirë në muzikën rock, trance, elektronike, sepse ka shumë fuqi. Gjithashtu, etniciteti i klarinetës sjell një energji tjetër”.
I pyetur nëse klarineta ka lidhje me Halit Beratin, personazhin e luajtur nga babai i tij Bujar Lako në filmin “Gjeneral gramafoni”, Bojkeni përgjigjet: “Mamaja ime kur e dëgjoi këngën, e bëri këtë lidhje vetvetiu. Më vjen mirë që njerëzit e kujtojnë kështu. Ndihem mirë që kam këtë kujtim me vete në skenë. Më duket jam i shoqëruar nga ky kujtim, ka lidhje dhe me kulturën time familjare, dhe që njerëzit e njohin babain për rolin e tij te spikatur tek filmi “Gjeneral gramafoni“