Fest 63- Emrat e jurisë profesionale që do të përzgjedhin finalistët
  • e enjte, 19 dhjetor 2024

Fest 63- Emrat e jurisë profesionale që do të përzgjedhin finalistët

Do të jetë një juri profesionale, ajo që do të vlerësojë 30 konkurrentët në garë në skenën magjike të Fest 63. Pas performancave në dy netët e Fest 63, ata do të përzgjedhin këngëtarët që do të shkojnë në natën finale të Festivalit. Të gjithë anëtarët e jurisë janë profesionistë të spikatur në botën e artit duke filluar që nga muzika e lehtë dhe operistike, nga fusha e letrave dhe ajo pedagogjike. Kryetare e jurisë do të jetë artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë do të jenë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.

Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.

Për herë të parë në këtë edicion të 63 të Festivalit të Këngës do të llogaritet edhe vota e diasporës. Mënyra e votimit do të bëhet e ditur në natën finale.