Aktorja e jashtëzakonshme e kinemasë dhe teatrit Luiza Xhuvani ka interpretuar në Natën Nostalgjike në Fest 63 poezinë e shkrimtarit të madh Dritëro Agollit “Udhëtoj i Menduar”.
Xhuvani ka zbuluar se 35 vjet më parë, në Festivalin e 28-të të Këngës, ajo kishte moderuar këtë ngjarje prestigjioze kur ishte vetëm 25 vjeç, një moment i rëndësishëm dhe emocionues për të. Ajo e përshkruan si një privilegj të madh, ku parakaluan figura të njohura të artit dhe kulturës, dhe shprehu një përgjegjësi të madhe për të drejtuar një aktivitet kaq të rëndësishëm.
Në kujtimet e saj, Xhuvani ndan një moment të veçantë kur, i ishin ofruar vetëm dy fustane për të veshur gjatë festivalit që zgjaste 3 netë. Ajo e theksoi se ka qenë familja e Vaçe Zelës që e ka mbështetur atë me një fustan të veçantë, duke e bërë këtë moment të paharrueshëm.
“Isha vetëm 25 vjeç dhe ishte privilegj i madh të moderoje një aktivitet me përmasa të tilla, ku parakalojnë poetë, këngëtarë, kompozitor, emocione dhe ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Festivali ishte 3 netë dhe mua mu qepën vetëm 2 fustane dhe problem i madh se çfarë duhet të vishja dhe mu gjend një familje që kishim miqësi, familja e Vaçe Zelës. Natën e tretë kam veshur fustanin personal të Vaçe Zelës, është një kujtim shumë i bukur”, tha ajo.
“Udhëtoj i menduar” është një rrugëtim i poetit dhe reflekton për një periudhë historike të vendit tonë dhe një udhëtim i brendshëm i tij ku shpërfaqë dashurinë për vendin dhe njeriun, për jetën për gjithçka që na rrethon.
“Është privilegj dhe nder ta artikulo Agollin”, u shpreh Xhuvani.
Kjo poezi u kthye në këngë me kompozim të Shpëtim Saraçit dhe u këndua po në festivalin e 28-të të Këngës nga Manjola Nallbani.
/rtsh.al/