Junior Fest Albania 2024 - rregullorja e Festivalit Mbarëkombëtar për fëmijët
  • e hënë, 29 korrik 2024

Junior Fest Albania 2024 - rregullorja e Festivalit Mbarëkombëtar për fëmijët

"Junior Fest Albania 2024" është një Festival Mbarëkombëtar për fëmijë nga mosha 9 deri 14 vjeç, që zhvillohet nga RTSH, si përfaqësues dhe anëtar i EBU, dhe ku do të përzgjidhet kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian “Junior Eurovision Song Contest”, i cili këtë vit do të zhvillohet në Madrid, Spanjë në datën 16 nëntor 2024. Ky produksion, i organizuar nga Radiotelevizioni Shqiptar, do të vijë me një formulë krejt të re në formën e një spektakli që do të zhvillohet në Tiranë. Ftojmë të gjithë krijuesit të bëhen pjesë e aktivitetit artistik për këto grupmosha.

Dorëzimi i materialeve dhe dokumentacionit përkatës të këngëve duhet të kryhet online në adresën elektronike juniorfest@rtsh.al. Afati përfundimtar i dorëzimit është data 31 gusht 2024. 

RREGULLAT E APLIKIMIT

  • Titulli i këngës
  • Interpretuesi *(emër, mbiemër, ditëlindje)
  • Kompozitori *(emër, mbiemër)
  • Tekstshkruesi *(emër, mbiemër)
  • Orkestruesi *(emër, mbiemër)
  • Foto (Interpretuesi)
  • Kënga e plotë në format WAV
  • Kënga në versionin instrumental (me zëra shoqërues) në formatin WAV
  • Teksti i këngës në format PDF ose Word
  • Numër kontakti
  • Adresa e-mail 

RREGULLORJA

Materiali duhet të vijë i përfunduar në formatin WAV në adresën elektronike juniorfest@rtsh.al. Aplikimet pranohen deri në datën 31 gusht 2024.

Bashkëngjitur duhet të dorëzohet: teksti, të dhënat e autorëve të këngës dhe fotoja e këngëtarit. Interpretuesi duhet të jetë i brezit të të lindurve para datës 16 nëntor 2015 dhe pas datës 17 nëntor 2009.

Kënga duhet të jetë krijim origjinal dhe i papublikuar më parë. Artisti duhet të interpretojë live në rast kualifikimi. Kohëzgjatja e këngës nuk duhet të jetë më pak se 2 minuta e 45 sekonda dhe jo më shumë se 3 minuta.

Në qoftë se ka elemente ndihmëse në performancën skenike të këngës, si p.sh. grup i vogël koral, grup i vogël koreografik, rekuizitë, kostume të veçanta etj., që ndihmojnë dhe kanë rol kryesor në këngë, të bëhen përshkrime të qarta në formën e një sinopsi.

Pas aplikimit, të gjitha këngët do t’i nënshtrohen vlerësimit të një komisioni të përbërë nga profesionistë të fushës së muzikës, nga ku do të dalin këngët konkurruese të këtij festivali.

/rtsh.al/