Një festë e madhe pritet të jetë edhe nata e nostalgjisë në festivalin e këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Këngët që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite do të vijnë të interpretuara në duet nga artistët pjesëmarrës të Fest 63.
“Është një natë që edhe vitet e kaluara ka rezultuar më një pritshmëri të lartë dhe një arsye shumë të rëndësishme sepse janë këngë që janë kënduar ndër vite dhe që kanë bërë historinë ë muzikës së lehtë shqiptare. Këngët këtë vit do të këndohen në duet nga konkurrentët tanë dhe jo me të ftuar të tjerë siç kemi bërë vitet e kaluara”, u shpreh dirigjenti Aflred Kaçinari.
Dirigjenti Alfred Kaçinari Teksa ndjek provat e fundit në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar të Orkestrës Simfonike përpara zhvendosjes në ambientet e Pallatit të Koncerteve aty ku do të mbahet edhe Fest 63, tregon se këngët që do të performohen në natën e nostalgjisë do të vijnë të ri orkestruara.
“Pjesa që ne na tërheq më shumë është se këto këngë do të vijnë të ri orkestruara dhe secili prej orkestruesëve sjell një këndvështrim të ndryshëm nga ai që ka qenë më parë dhe kjo e bën shumë interesante këtë natë”, u shpreh dirigjenti i njohur Kaçinari.
Në natën e 3-të e cila përkon me mbrëmjen e nostalgjisë nuk do të mungojnë dhe të ftuarit special.
Gazetare: Katerina Kule
/RTSH/