Skenografia e Fest 63 drejt fundit - Skenografi Albi Çifligu shpjegon konceptin
  • e premte, 13 dhjetor 2024

Skenografia e Fest 63 drejt fundit - Skenografi Albi Çifligu shpjegon konceptin

Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur përgatitjet intensive për festivalin e 63 të këngës në RTSH. Skenografia që i është besuar Albi Çifligut, po merr jetë dita ditës me elementë vizualë që synojnë të nxjerrin sa më bukur performancat e artistëve gjatë 4 netëve të festivalit.

“Ajo çfarë kemi këtë vit është një pjesë dinamike shumë e rëndësishme për sa i përket tavanit të cilit i kemi dhënë gjithë peshën në disa lëvizje motorike, robotike do jetë risi. Jemi gjatë të gjithë kohës në kërkim për të sjellë diçka të re për të qenë në fokus 100% për këngëtarin që ti japim mundësinë që të ketë një performansë sa më të mirë”, u shpreh Skenografi Albi Çifligu.

I rezervuar në shpjegimin e detajeve, për ti lënë surprizë në çelje të festivalit, skenografi  Çifligu thotë se Skenografia do ti përshtatet gjithashtu konceptit të regjisorit Redi Treni.

“Redi nga ana tjetër po punon me një pjesë të robotizuar dhe automatizuar për sa i përket regjisë që të gjitha planet të shkojnë në sinkron. Unë nga ana ime do ti jap mundësinë me softe moderne ose kontrolle numerik që dhe skenografia të përshtatet sipas planeve”, tha Albi Çifligu.

Tema e festivalit të 63 të këngës rrënjët, do të pasqyrohet edhe në skenografi duke sjellë për publikun në sallë dhe teleshikuesit, elemente të veçanta si kurrë më parë.

“Koncepti është praktikisht në rrënjën e gjësë, jemi frymëzuar nga rrënjën sipas kërkesës së Drejtoreshës Artistike, koncepti janë rrënjët, gjeneza, aty ku buron realisht muzika”, u shpreh Çifligu.

Festivali i 63 i këngës në Radio Televizionin Shqiptar mbahet nga data 19 deri në datën 22 dhjetorin dhe do të vijë nën moderimin e Enkel Demit dhe Ornela Bregut.

Gazetare: Katerina Kule

/RTSH/