Reperi i njohur shqiptar, Noizy, do të jetë pjesë e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH, por jo si konkurrent.
Artisti do të ngjitet në skenën prestigjioze të Festivalit si i ftuar special i natës së parë, ku do të performojë së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.
Kjo është hera e parë që Noizy, një nga artistët më të suksesshëm të muzikës shqiptare, ngjitet në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH.
Ky edicion pritet të jetë ndër më të veçantët, duke afruar artistë të brezave dhe stileve të ndryshme. Për Noizy-n, kjo është një mundësi për të treguar anën tjetër të artit të tij në një platformë historike, e cila tradicionalisht lidhet me përzgjedhjen e këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovision.
Pjesëmarrja e artistit synon të afrojë publikun e ri me Festivalin e Këngës, duke sjellë një frymë më moderne dhe energji të re në këtë ngjarje tradicionale.
Ndërkohë, Noizy sapo ka publikuar filmin e tij të ri, "Trouble Shooter", i cili po merr vlerësime pozitive dhe ka tërhequr vëmendje të madhe. Megjithatë, këtë dhjetor, vëmendja kryesore do të jetë tek debutimi i tij në Festivalin e Këngës, një sfidë e re për reperin që vazhdon të zgjerojë kufijtë artistikë të karrierës.
Për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta ndjekin nga afër Fest 63 tashmë biletat e natës së parë dhe të dytë kanë dalë. Qytetarët mund t'i blejnë fizikisht në Pallatin e koncerteve dhe online në myticket.al.
Festivali më i rëndësishëm i muzikës së lehtë shqiptare do të mbahet nga data 19 deri në datën 22 dhjetor.
/ rtsh. al /