Ditë intensive provash të 30 këngëtarëve të Festivalit të 63-të të Këngës me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar
  • e enjte, 5 dhjetor 2024

Ditë intensive provash të 30 këngëtarëve të Festivalit të 63-të të Këngës me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar

Artistët pjesëmarrës në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në RTSH kanë nisur provat intensive me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, duke u përgatitur për katër netët e këtij festivali. 30 këngëtarë marrin pjesë në këtë edicion që përfaqësojnë një përzierje të artistëve të njohur dhe talenteve të reja, që do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë më 19-22 dhjetor. Fituesi i edicionit të 63-të do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.

Në listën e artistëve spikasin këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të artistëve që kanë bërë historinë e muzikës moderne dhe të rinj që e shohin skenën e këtij Festivali prestigjioz si një skenë të rëndësishme për karrierën e tyre artistike. Ky edicion do të kombinojë talentin e artistëve të mëdhenj dhe zërat e rinj.

Provat po zhvillohen në sallën e madhe të orkestrës në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar, ku artistët dhe orkestra po punojnë me përkushtim për performancat.

Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani, producentët muzikorë të mirënjohurit, Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi si dhe drejtuesit artistik i bendit muzikor kantautori i njohur Elton Deda, janë aty për të sjellë jo vetëm eksperiencën dhe kreativitetin e tyre por për të siguruar një nivel të lartë artistik në festival.

Këtë vit, festivali do të ndahet në katër netë të strukturuara për të krijuar një përvojë unike për publikun. Në natën e parë dhe të dytë do të prezantohet këngët konkurruese për publikun dhe jurinë.

Nata e tretë, është konceptuar si “Nata e Nostalgjisë” dhe do të kujtojë vlerat e historisë së pasur të festivalit, duke risjellë këngët ikonike të ndër viteve dhe duke i dedikuar për autorët dhe poetët që kanë kontribuar ndër vite në festival.

Nata finale, më 22 dhjetor, do të shpallë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e madhe të Eurovision-it.

/rtsh.al/