Nis në mënyrë spektakolare nata e parë e Festivalit të 63 të këngës (Fest 63) në Pallatin e Kongreseve, një mbrëmje unike muzikore me vlera kombëtare organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). Një mbrëmje muzikore e shumë pritur jo vetëm brenda vendit, por edhe në trojet shqiptare, si dhe në diasporë.
Fest 63 do të shquhet jo vetëm për kompozimet dhe tekstet më të mira të shkruara nga kompozitorët dhe poetët, por do shënon edhe mjaft risi të tjera, të cilat plotësojnë mozaikun e Fest 63, duke filluar nga moderimi, dirigjimi, aranzhimi i kompozimeve, regjia skenike dhe ajo televizive, skenografia, ndriçimi e deri tek kostumografia.
Në natën e parë do të jenë 15 këngëtarë në garë, të cilët do të interpretojnë live në skenën magjike të Fest 63, me skenografi të Albi Çifligut, shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, drejtuar nga disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani. Ndërsa bendi do të drejtohet nga kantautori Elton Deda.
Moderatorët e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës do të jenë Ornela Bregu dhe Enkel Demi. Ornela Bregu ftesën për të qenë moderator e Fest 63, e cilësoi si një rikthim në RTSH, aty ku e ka nisur edhe karrierën e saj 27 vite më parë. Ndërsa Enkel Demi, i njohur edhe për karrierën e tij në Radio Tirana, e cilëson këtë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për çdo artist dhe audiencë.
Fest 63 është hapur me këngën “Fëmija e parë” një këngë e gdhendur në fundin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, e cila është kënduar nga Vaçe Zela, dhe është sjellë me mjeshtëri nga drejtorja artistike e Fest 63 Elhaida Dani, e cila shoqërohej nga një grup fëmijësh.
Nata e parë do të jetë e ,mbushur edhe me emocione jashtë garës së konkurimit. Reperi i njohur shqiptar, Noizy, do të jetë pjesë e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH, por jo si konkurrent. Artisti i njohur do të ngjitet në skenën prestigjioze të Festivalit si i ftuar special i natës së parë, ku do të performojë së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.
Edhe Slimane, këngëtari i famshëm francez, do të jetë i ftuar special në natën e parë të Fest 63, duke sjellë një performancë që pritet të jetë një nga momentet kulmore të festivalit. Ai përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën e tij "Mon Amour", një hit që pas suksesit në Eurovizion bëri jehonë ndërkombëtare.
Këngëtarët në garë në natën e parë të Fest 63
1-Orgesa Zaimi
2-Erma Mici
3-Luna Çausholli
4-Ronaldo Mesuli
5-Mihallaq Andrea
6-Kejsi Jazxhi
7-Lorenc Hasrama
8-Jet
9-Djemtë e Detit
10-Nita Latifi
11-Martina Serreqi
12-Alis
13-Shkodra Elektronike
14-Kleansa Susaj
15-Ardit Çuni