“Këndi i Fest 63” me Alesia Burnazin dhe Andri Xhahun do përcjellë emocionet pas skenës
  • e enjte, 19 dhjetor 2024

“Këndi i Fest 63” me Alesia Burnazin dhe Andri Xhahun do përcjellë emocionet pas skenës

Gjatë netëve të Festivalit të Këngës, përtej magjisë së skenës, do të ketë edhe një tjetër “festival” në prapaskenë me artistët pjesëmarrës gjatë të 4 netëve magjike të tij.

Ky transmetimi i drejtpërdrejtë në RTSH 24 i është besuar dy moderatorëve Alesia Burnazi dhe Andri Xhahu, të cilët do të mbulojnë çdo moment nga pas skenës, duke përcjellë intervista ekskluzive me këngëtarët dhe emocionet e tyre.

Prapa kuintave Alesia Burnazi dhe Andri Xhahu do të krijojnë një atmosfere dinamike dhe emocionuese për shikuesit duke u lidhur me ta edhe përmes rrjeteve sociale të Radiotelevizionit Shqiptar.

Në një intervistë për RTSH 24, Alesia Burnazi shprehet e nderuar dhe e privilegjuar për këtë mundësi, duke theksuar se do të përcjellë emocionet por edhe atë syrin kritike të të rinjve lidhur me performancat.

“Jam e nderuar dhe e privilegjuar për këtë ftesë dhe kemi një kimi që është kryesore dhe do të duket më së mirë në ekran. Kjo është eksperienca e parë kaq e madhe dhe ndihem e nderuar. Do japim një energji të re dhe do vëzhgoj pak më shumë dhe u tregoj shikuesve se kush janë të gjitha emocionet e paraskenës. Të thënat dhe të pathëna dhe do jetë një eksperiencë vërtetë e bukur.  Unë jam rritur me këngët ikonë të festivalit. Përtej emocioneve artistët do të kenë edhe mbështetjen tonë dhe t’i relaksojmë nga emocionet e skenës”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, moderatori Andri Xhahu theksoi rëndësinë e shprehjes autentike të emocioneve të artistëve dhe angazhimit të tij në rrjetet sociale duke marrë online përshtypjet e shikuesve.

"Ka artistë të rinj në garë dhe emocionet nuk i ngjajnë njëra tjetrës, ne do sjellim intervista ekskluzive me artistët dhe do jemi pakë më të angazhuar ne rrjetet sociale ku departamenti i web do të mbulojë në kohë reale gjithë çfarë ndodh në skenë dhe pas skene. Ne do kemi edhe interaktivitetin me ndjekësit dhe komentet e tyre. Emocionet janë reale dhe preken aty dhe kjo e bënë ndryshe. Festivali këtë ka të bukur se ka një ngjyrim të bukur mes artistëve të rinjve dhe atyre që e kanë shkelur disa herë skenën e këtij festivali dhe do informojmë me kuriozitete dhe detaje jo vetëm nga festivali i këtij vit por në të gjithë historikun e tij në 63 vite" shtoi Andri.

Me këtë angazhim, Alesia dhe Andri premtojnë një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë ata që do të ndjekin festivali në ekran, duke ofruar një pasqyrë të thellë dhe emocionuese nga brenda këtij festivali të madh.

/rtsh.al/