Ngre sot siparin Fest 63, Ciko: Festë e papërsëritshme! Kemi një tablo muzikore plot ngjyra
  • e enjte, 19 dhjetor 2024

Ngre sot siparin Fest 63, Ciko: Festë e papërsëritshme! Kemi një tablo muzikore plot ngjyra

Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), ngjarja më e madhe muzikore në Shqipëri, nis sot në mbrëmje edicionin e tij të 63-të. Një festival me 63 vite histori, vijon të mbetet një ngjarje e rëndësishme për industrinë muzikore shqiptare dhe një afirmim për të gjithë këngëtarët në karrierën e tyre muzikore.

Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, Mjeshtri i Madh Zhani Ciko e konsideroi Festivalin e Këngës një "festë të madhe" që përsëritet, por asnjëherë nuk është njësoj.

“Çdo festival është një festë e madhe që gjithmonë përsëritet por asnjëherë nuk është njësoj. Sot është nata e dridhërimave, sado precize të jetë gjithçka gjithmonë në festival ka mister si do dali, si do tingëllojë, por magjia e publikut dhe e të përjetuarit në skenë është ajo e papritura dhe misteri që përjetohet në skenë. Misteri i parë është çfarë këngësh do vijnë, kush do marrë pjesë dhe që kur u njohëm me pjesëmarrësit pamë që kishte një tendencë për të ardhur jo vetëm emra të rinj, por edhe emra me përvojë por që nuk janë pjesë e emrave tradicionalë. Festivali i këngës e ka ende peshën e ngjarjes muzikore dhe nuk mendoj që mund të ketë një emër në muzikë që mund të afirmohet pa kaluar në Festivalin e Këngës”, u shpreh Ciko.

Mjeshtri i Madh, Ciko gjithashtu vuri në dukje një ndryshim në prurjet muzikore të këtij edicioni, duke nënvizuar se këngët e këtij viti kanë një nivel më të lartë maturiteti dhe ngjyra më të freskëta.

"Ky festival ka një vulë dominues dhe patentues për këngëtarët. Për prurjet ka një tendencë të këngëve të kësaj periudhe, ka njëfarë maturiteti te këngët këtë vit. Për mua tabloja e përgjithshme është një tablo me ngjyra të reja dhe të freskëta. Në këtë festival ka këngë për të gjithë dhe do ju thoja të mos e paragjykojnë festivalin pasi është e tepruar pak. Duhen parë me sy të mirë”, shtoi Ciko.

Festivali i Këngës në RTSH nis mbrëmjen e sotme në orën 21.00, ku në natën e parë do të prekin skenën magjike 15 artistët e parë me performancat e tyre. Të ftuar special në këtë natë do të jetë reperi i njohur shqiptar, Noizy dhe këngëtari francez Slimane që do të ndezin edhe më shumë atmosferën në skenën e festivalit.

Ky edicion i 63 rikthen në skenë dyshen e moderatorëve Ornela Bregu dhe Enkel Demi. Do të jenë ata që do të prezantojnë 4 netët e Fest 63, ndërsa prapa kuintave, nja hap larg skenës në pritje në çdo debutimi të artistëve do të jenë Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi në një transmetim të drejtpërdrejt nga RTSH 24, përgjatë gjithë netëve të festivalit. Menjëherë pas mbylljes së çdo nate në RTSH 1 do të vijë post festivali nën drejtimin e Fjodora Fjorës, ku do të analizohen performancat e artistëve.

Ky edicion i kthehet formulës, vetëm të një fituesi, për atë që do të votohet më shumë. Një nga risitë e këtij viti, është përfshirja në votim e diasporës, falë funksionimit të një sistemi online, ku çdo shqiptar mund të votojë anekënd botës.

/rtsh.al/