Jemi vetëm dy javë larg nga nisja e festivalit më të rëndësishëm të muzikës së lehtë në Radio Televizionin Shqiptar.
Provat dhe përgatitjet po zhvillohen intensivisht.
30 artistët pjesëmarrës në Fest 63 janë bashkuar në prova së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe bandës muzikore, ndërsa pas datës 10 dhjetor i gjithë formacioni do të zhvendoset në Pallatin e Kongreseve për provat finale.
Ata që kanë më shumë emocione janë këngëtarët të cilët konkurrojnë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH.
Nga 30 artistë konkurrues në Fest 63, 16 prej tyre do të ngjiten për herë të parë në skenën e festivalit.
"Vijmë me një këngë tonën që quhet 'Zjerm'. Është në stilin tonë. Është një përzierje e muzikës elektronike me muzikën tradicionale shqiptare dhe me muzikën orkestrale të Festivalit. Kënga është e shkruar nga Beatriçja. Ndihemi shumë mirë," tha artisti Kol Laca.
"Kënga që kemi shkruar është një këngë që e kemi menduar për Festivalin. Vitin që do të vijë do të publikojmë një album. Për albumin nuk gjetëm një këngë adapte për Festivalin dhe e shkruajtëm dhe na kanë zgjedhur," shtoi Beatriçe Gjergji.
Fest 63 do të vijë në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/