Për 4 net me radhë, duke nisur nga sot në orën 21:00 të mbrëmjes e deri më datën 22 dhjetor, në Pallatin e Koncerteve mbahet Fest 63.
Me muzikë të mirëfilltë shqiptare do të ngjiten në skenë 30 artistë në garë.
Ky edicion do të jetë një kombinim i talentit të artistëve të mëdhenj dhe zërave të rinj që do të shoqërohen nga orkestra dinjitoze e RTSH-së.
Ky edicion i 63-të rikthen në skenë dyshen e moderatorëve Ornela Bregu dhe Enkel Demi, të cilët mundëm t’i shkëpusnim për pak minuta nga provat e sotme gjenerale, bashkë me drejtoreshën artistike të Festivalit Elhaida Danin.
"Shumë emocionuese edhe për faktin që më kishte munguar skena e madhe. Shumë e lumtur që ishte ky vit ftesa për mua. Mendoj që do të kishte qenë pak vonë po të kishte qenë dy apo tre vjet më vonë. Mendoj që jam në momentin e duhur," u shpreh znj. Bregu.
"U riktheva unë, u rikthyen turistët, u rikthye Elhaida Dani, Ornela Bregu, të gjithë. Pra ne në njëfarë mënyre na ka riatdhesuar Festivali. Nuk e di si ka ardhur telefonata, por ndihem fatlum që erdhi. Të më thërrasë Radio Tirana e të mendohem gjatë?! Jo, s'mendohem!" tha z. Demi.
"Do jetë një natë fantastike, me të vërtetë. Na ka rrjedhur shumë mirë edhe prova e sotme. Unë jam shumë e lumtur me ecurinë deri tani. Dua të shoh natën e sotme, të përjetoj emocionet, sepse jam shumë e emocionuar," deklaroi drejtoresha artistike e Festivalit.
Gjithçka duket të jetë gati, ndërsa provat gjenerale kanë ngjitur në skenë 15 artistët që do të performojnë "live" në natën e parë.
Dy do të jenë të ftuarit specialë të kësaj mbrëmjeje: reperi Noizy dhe këngëtari Slimane, i cili vjen me një tjetër surprizë për publikun shqiptar, pas suksesit të tij në Eurovizon.
"Krenar. Është një ëndërr për mua dhe është një nga ëndrrat që doja ta kryeja para se ta lija karrierën e muzikës," u shpreh Noizy.
/rtsh.al/