Pas tri netësh magjike, Fest 62 do të kulmojë sonte me natën finale. Këtë mbrëmje jo vetëm do të argëtohemi nën ritmet e muzikës së mirë, por gjithashtu do të jemi nën ankthin e ndarjes së çmimeve të para.
Do të zgjidhet sonte fituesi i edicionit të 62 nga juria me 11 anëtarë profesionistë, ndërsa votat e publikut do të përcaktojnë përfaqësuesin e Shqipërisë për në Eurovizion 2024.
Në skenë sot do të performojnë 22 këngëtarë, 8 prej të cilëve janë artistë të rinj debutues, por në garën për në Eurovizion do të jenë të 31 pjesëmarrësit e këtij edicioni.
Ndërkohë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, përkrah drejtuesve më të lartë të RTSH-së, si Drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, janë edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shoqëruar nga bashkëshortja, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, sociologu i njohur në Universitetin e Prishtinës, Ardian Gola, përfaqësuesja e zgjedhur e komunitetit etnik shqiptar, Ardita Sinani, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, Flutura Açka, drejtues të lartë të Bashkisë së Tiranës, nënkryetari, Andi Seferi, analisti Milaim Zeka dhe juristi, Genc Gjokutaj, si dhe shumë personalitete të tjera të hapësirës mbarëshqiptare.
Po ashtu, në natën finale, do janë të pranishëm edhe kantautori dhe një prej moderatorëve më të njohur në vend në botën e spektaklit, Ardit Gjebrea, sëbashku me bashkëshorten, regjisori Petri Bozo, çifti i famshëm Luiz Ejlli dhe Kiara Tito, komentatori i famshëm Dritan Shakohoxha e të tjerë.
Ndërkohë natën finale të Fest 62 do të kenë mundësi ta ndjekin gjithë shqiptarët e rajonit, pasi transmetohet drejtpërsëdrejti në disa televizione publike, në vendet ku ata jetojnë.
Për teleshikuesit nga Kosova, nata e fundit e festivalit transmetohet në kanalin kryesor të Radio Televizionit të Kosovës ndërsa tre netët e kaluara janë transmetuar në kanalin muzikor të RTK-së.
Nata finale e Fest 62 transmetohet drejtpërsëdrejti edhe në Maqedoninë e Veriut përmes valëve të kanalit të dytë maqedonas, atij në gjuhën shqipe.
Për herë të parë në historinë e festivaleve, nata finale e Fest 62 transmetohet edhe në Malin e Zi në kanalin shqip të radios së Malit të Zi, i vetmi kanal atje që transmeton shqip 24 orë.
Lista e këngëtarëve që do të performojnë sonte në natën finale:
- Kastro Zizo - 2073
- Mal Retkoceri - Çmendur
- Erina & The Elementals - Jetën n'skaj
- Melodajn Mancaku - Nuk jemi më
- Tiri Gjoci - Në ëndërr
- Kleansa Susaj - Pikturë
- Irma Lepuri - Më prit
- Festina Mejzini - Melos
- Eldis Arrnjeti - Një kujtim
- Martina Serreqi - Vetëm ty
- Besa Krasniqi - Esenciale
- Sergio Hajdini - Uragan
- Olimpia Smajlaj - Saj
- Anduel Kovaci - Nan
- Michela Paluca - Për veten
- Peter Pan kuartet - Një herë
- Besa Kokëdhima - Zemrën n'dorë
- Arsi Bako - Zgjohu
- Elsa Lila - Mars
- Andi Tanko - Herë pas here
- Shpat Deda - S’mund t'fitoj pa ty
- Big Basta & Vesa Luma - Mbinatyrale
/rtsh.al/