Nata e dytë e Festivalit të 62-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka rezervuar për publikun një spektakël magjik, me emocione të forta, muzikë dhe performanca madhështore.
Nuk mund të ishte më pak dhe performanca e legjendave të muzikës shqiptare, siç janë Aleksandër Gjoka dhe Bojken Lako te cilët kanë bërë histori me këngët hit të tyre.
Të pyetur nga moderatorët se si ndjehen që janë rikthyer përsëri në Festival, Aleksandër Gjoka foli për emocionet që ndjen, por gjithashtu tha se tashmë vendin duhet ta zënë brezat e rinj.
“Unë e kam thënë dhe herë të tjera për mua ka qenë, është dhe do të mbetet kurora e muzikës shqiptare, edhe unë kam dal nga ky festival që në 91. Për mua festivali është trampolinë për të nxjerrë talente të reja unë e kam kryer misionin tim, faleminderit që më keni ftuar” tha këngëtari legjendar Aleksandër Gjoka.
Ndërsa Drejtori Artistik i Festivalit dhe këngëtari Bojken Lako u shpreh se gara është për brezat e rinj, ndërsa tashmë është pranë një pjese tjetër të jetës dhe karrierës së tij duke i lënë kështu vendin të rinjve.
“Gara është për një brez më të ri kam kënaqësi që jam me Sandrin dhe kjo këngë ka një mesazh të veçantë në vazhdimësinë e jetës së një artisti. Dua të falënderoj edhe poetin e kësaj këngë edhe gara është deri diku pastaj vjen një pjesë tjetër e jetës” u shpreh Bojken Lako.
/rtsh.al/