Festivali i 61-të i Këngës në RTSH, nis shitja e biletave! Blerja online ose në sportele
  • e hënë, 12 dhjetor 2022

Festivali i 61-të i Këngës në RTSH, nis shitja e biletave! Blerja online ose në sportele

Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të shijojnë live netët e muzikës së Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, kanë mundësi të blejnë biletat online ose fizikisht në sportele.

Shitja e biletave ka nisur për të katërta netët magjike që pritet të sjellë muzika e lehtë shqiptare, ku qytetarët do të mund t’i blejnë online me një klik larg në www.myticket.al ose mund të drejtohen fizikisht në agjencitë Unionnet-WesternUnion apo sportelin pranë Pallatit të Kongreseve.

Këtë vit Festivali i 61-të Këngës në RTSH do të zhvillohet për 4 netë radhazi në datat 19, 20, 21 dhe 22 ku do të jetë dhe nata e finales së madhe.

Nën drejtimin e Arbana Osmanit do të ngjiten në skenë 26 performanca, ku 16 janë artistë të cilët kanë performuar edhe më parë në Festival dhe 10 të tjerë janë artistë të rinj dhe grupe alternative.

Festivali i 61-të të Këngës në RTSH  do të japë 3 çmime të para: vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tretë;1 çmim për artistët e rinj dhe grupet alternative dhe 1 çmim për karrierë.

Ndryshe nga vitet e kaluar, Festivali i 61-të i Këngës në RTSH vjen me një risi lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, fituesi i së cilës do të zgjidhet me votat e publikut me anë të SMS-ve. Në festivalet e mëparshme të Këngës në RTSH fituesi i çmimit të parë ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por këtë vit do e përfaqësojë ajo këngë e cila do të rezultojë më e votuara nga publiku.

/rtsh.al/