Eventi më i rëndësishëm i muzikës së lehtë shqiptare Festivali i 62-të i Këngës në RTSH ka mbyllur aplikimet.
Mesnata e 10 tetorit ishte afati i fundit i dorëzimit të këngëve pjesëmarrëse. Këtë vit numërohen mbi 80 krijime muzikore cilësore të përgatitura nga kompozitorë, tekst shkrues dhe artistë shqiptarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga treva te tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Suedia, Italia dhe Amerika.
Risi e këtij viti gjatë procesit të aplikimit ka qenë mundësia për të marrë në kohë reale një përgjigje të automatizuar nga emaili.
Pasi autori i këngës dorëzonte materialin e përfunduar këngën e plotë, orkestralen bashkë me zërat shoqërues, instrumentalen e këngës, tekstin, si dhe emrat e autorëve i vinte një përgjigje nëse materiali pranohej apo jo duke e shoqëruar me argumentet përkatëse.
Brenda kësaj jave të gjitha këngët do t'i nënshtrohen një faze seleksionuese nga një komision pranues i përcaktuar nga bordi i festivalit. Pas këtij filtri do të shpallen edhe këngët pjesëmarrëse në Festivalin e 62 të këngës ne RTSH.
Lista e plotë e artistëve që do bëhen pjesë e këtij festivali si dhe të rejat më të fundit mbi këtë event muzikor do të keni mundësi t'i ndiqni në rrjetet sociale të Fest 62 dhe RTSH.
Gazetare: Keti Toroveci
/RTSH/