“Performanca ime në Eurovision është një ëndërr e bërë realitet, ndërsa doja të vija me një këngë moderne që identifikon vendin tim”, tha këngëtarja Ronela Hajati e cila ndodhet në Torino ku do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Sekret” në Eurovision 2022. Ylli i popit nga Tirana do të jetë e para që do të këndojë më 10 prill në stadiumin Olimpico në Torino të Italisë, ndërsa shpreson shumë që të mbërrijë në finale më 14 maj.
“4 ose 5 vjet më parë, unë thjesht do të shikoja Eurovisionin në shtëpinë time, duke menduar se do të ishte shumë mirë të isha atje. Tani që jam këtu, sigurisht që jam e emocionuar. Por gjithashtu mendoj se duhet ta bëj mirë këtë. Jam shumë e fokusuar. Dhe e di gjithashtu se pasi të përfundojë kjo, do të më mungojë shumë. Të gjithë artistët jemi miq”, tha Ronela Hajati.
Tani që ndodhet në skenën e Eurovisionit 2022, prioriteti i Ronelës është të bëjë performancën më të mirë për të ngritur lart vendin e saj, shkruan Eurovision.tv.
“Së pari, ajo që është e ndryshme është se unë nuk po sjell një baladë, të cilën Shqipëria e sillte në garë prej shumë vitesh. Ishin balada të bukura, nga këngëtarë me zë të bukur. Por mendoj se po sjell një stil më modern. Ideja ishte e imja. Doja të kisha një këngë moderne. Doja të mbaja disa pjesë që do të ndihmonin në identifikimin e Shqipërisë. Dhe duke qenë se të gjithë kemi sekrete, të gjithë mund ta gjejmë veten në këngë. Performanca dhe shfaqja skenike ishte kryesisht ideja ime. Mesazhi është se të gjithë mund të duan kë të duan. Dhe nëse duan ta mbajnë sekret kjo është jeta e tyre. Videoklipi zbulon sekretin e parë, sekreti i dyti do të jetë në skenë me performancën.”, tha ajo.
Pas festivalit të Eurovision, Ronela ëndërron që muzika e saj të kishte një audiencë edhe më të gjerë, ndërsa nuk ka asnjë parashikim për fituesin këtë vit.
“Nëse performoj mirë, shpresoj vërtet të arrij një marrëveshje jashtë Shqipërisë. Do të doja ta çoja muzikën time në një audiencë më të gjerë. Do të doja që më shumë njerëz të dëgjonin muzikën time kam kaq shumë këngë dhe tekste për të ndarë me ju të gjithë. Nuk e di kush do të fitojë, nuk bëj asnjë parashikim, ka shumë këngë të bukura nga shumë artistë shumë të këndshëm. Shumë prej tyre i kam takuar”, shtoi Ronela.
Ronela Hajati ka mbërritur në Torino me veshje të shumta skenike, ndërsa stilisti i saj Niko Komani thotë se ajo do të shfaqet “shumë seksi, siç mund të ishte Christina Aguilera për çmimet MTV...”.
Eurovision Song Contest do të mbahët në Torino të Italisë më datat 10, 12 dhe 14 maj dhe si gjithmonë, publiku shqiptar do të ketë mundësi ta ndjekë në platformën e RTSH.
/rtsh.al/