“Duje” në Eurovision, Eriona Rushiti zbulon detaje nga performanca në skenë
  • e martë, 21 mars 2023

“Duje” në Eurovision, Eriona Rushiti zbulon detaje nga performanca në skenë

Kompozitorja dhe tekstshkruesja Eriona Rushiti ishte e ftuara e Andri Xhahut paraditen e sotme në emisionin “Në radio”. Rushiti ka shkruar tekstin e këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovision 2023, e cila interpretohet nga Albina dhe familja Kelmendi.

Kjo nuk është hera e parë për Rushitin që prek magjinë e Festivalit Europian, pasi është edhe autore e këngës “Ktheju tokës” interpretuar nga Jonida Maliqi në vitin 2019. “Ndjesia është shumë e bukur sepse e dua Eurovision-in. Prej vitesh kam ndjekur konkurrencën dhe këngët që dalin hap pas hapi. Sigurisht që prezantimi im i parë ishte më emocional sepse preknim për herë të parë çdo etapë. Tani shumë aspekte të rrugëtimit dihen. Mezi pres periudhën në Liverpool që është fantastike.”

Kënga “Duje” u shpall fituese e çmimit të publikut në “Fest ‘61”, duke marrë të drejtën e prezantimit të Shqipërisë në Eurovision Song Contest. Versioni përfundimtar i këngës është punuar në një studio prestigjioze në Stamboll. “U zgjodh pikërisht ajo studio për faktin që mund të shfrytëzohej orkestra e harqeve “live” dhe shumë instrumente që i duheshin këngës. Aq më tepër që e njohin kulturën tonë. Nuk mund të zgjidhnim një studio të një vendi tjetër që nuk e njeh beat-in tonë dhe kulturën që kemi ne. Kënga mori një frymë më moderne. I kemi qëndruar besnik versionit që u paraqit në Festivalin e RTSH-së, por u fuqizuan disa elemente të tjera.”

Rushiti ndalet edhe te rëndësia që ka performanca skenike. “Këtë vit po punohet shumë mirë për “stage”-in. Aq më tepër që janë gjashtë persona në skenë, gjithçka duhet të jetë korrekte, mesazhi duhet të përcillet qartë. Kam shpresë që kënga “live” do të ketë shumë impakt.”

Performanca do të jetë e kuruar nga drejtuesja krijuese dhe koreografja suedeze Sacha Jean-Baptiste. “Sacha ka qenë bashkë me grupin e saj në Prishtinë për një javë. Ata punojnë me çdo “frame” sekondi, se si do të lëvizim kamerat dhe dritat. Ka punuar me koreografinë për të gjashtë anëtarët. Besoj se do të jetë shumë bukur.”

E pyetur në lidhje me komentet për tekstin e këngës, Rushiti shprehet: “Ne e dimë që Festivali ka gjithmonë konkurrencë. Ndahen fansat dhe ata që nuk donin që kjo këngë të fitonte u përpoqën të kapeshin diku. U kapën pikërisht në faktin që Albina ka krijuar një familje të re, për të cilën nuk bën fjalë kënga. Teksti prek një temë globale, flet për familjen, për dashurinë dhe traditën që kemi patur për familjen. Ishte familja Kelmendi që ma kërkoi tekstin pasi kishin vendosur që do të merrnin pjesë që të gjashtë në Festival. E kishin të qartë idenë: një familje e madhe që flet për vlerat e saj. Çfarë po ndodh sot, jo vetëm në Europë por edhe në Shqipëri, është kriza në familjet tona. Donim të vinim theksin pikërisht këtu: çfarë kemi qenë, ku jemi dhe si duhet të jemi.”

Duket se publiku e ka pritur mjaft mirë këngën. “Më çfarë kam vënë re, komentet kanë qenë të mira. Ka nga ata që e duan shumë këngën. Ka dhe nga ata që pëlqejnë më shumë këngët e bëra enkas për Eurovision-in, siç është kënga e Suedisë sivjet, një formulë e njohur suksesi. Kënga “Duje” është për skenë dhe besoj se aty do ta marrë të gjithë vlerën. Ajo që çoi këtë këngë të jetë fituese, është i gjithë rrezatimi i familjes në skenë. Kam përshtypjen që do të ndodhë edhe në Eurovision.”

Duke qenë se Eriona Rushiti nuk e ka për herë të parë përvojën e Festivalit Europian, ajo ka një këshillë. “Prova, prova, sa më shumë prova. Aq më tepër që janë gjashtë vetë në skenë. Është shumë i rëndësishëm sinkronizimi dhe puna në grup, sepse vokalisht Albina është fantastike. Dhe sa më shumë dashuri për fansat dhe gazetarët sepse kjo gjë ndikon shumë.”

/rtsh.al/