Provat gjenerale të një festivali janë gjithmonë si një pragfestival i cili tregon se çfarë do të ndodhë në një natë festivali dhe atë çfarë do të përcillet tek teleshikuesit në ekranin e televizorit. Këto prova vlejnë për të gjithë sektorët të cilët merren me organizimin dhe transmetimin televiziv të këtij aktiviteti madhështor. Vetëm 24 orë para fillimit të këtij Festivali , stafi po merret me detajet e fundit që gjithshka të shkojë sa më mirë dhe të realizohet një festival dinjitoz që i përmbush kërkesat cilësore të kohës.
Ky vit do të sillte një situatë të pazakontë që nga fillimi i organizimit të tij dhe dalja jashtë , në Sheshin Italia do të ishte një sfidë për organizatorët por edhe për artistët, sidomos për këngëtarët të cilët do të interpretojnë në kushte jo të favorshme për vokalin e tyre. E gjithësesi dëshira për të bërë një festival, për të mos humbur një vit të vazhdimësisë së një ngjarjeje kaq të bukur muzikore , do të sfidonte çdo vështirësi sepse ne duhet TË MBROJMË MUZIKËN !!!
Gjithmonë në prag të ndërrimit të viteve melodia e Këngëve të Festivalit të Këngës na bënte shoqëri. Kështu do të jetë edhe këtë vit ….ndonëse shumë gjëra na mungojnë: njerëz të dashur që nuk i kemi më pranë nesh, përqafime të munguara dhe takime në distancë. Kur diçka të mungon është muzika ajo që e zëvëndëson…durim Festivali po fillon!