Një festival është gjithmonë një sfidë për krijuesit dhe interpretuesit të cilët e shohin si majën e ajsbergut të karrierës së tyre. Festivali i Këngës gjithmonë ka qenë një nga kulmet e karrierës së shumë artistëve për ti hapur dyert e një perspektive të sigurtë artistike. Pas 11 vitesh Stefan Marena i rikthehet Festivalit të Këngës ku duket se kënga Meteor e ka bërë për vete menjëherë dhe kështu vendosi të përfaqsohej pikërisht me mesazhin domethënës që përcjell kënga në Fest 59.
Muzika e Gramoz Kozelit dhe teksti i Klotilda Harkës duket se është një thirrje e brendshme dashurie, nevoje, rebelimi dhe përmirësimi, e cila depërton larg. Zeri i kadifenjtë i Stefanit e bën këtë këngë me një vlerë shpirtërore dhe jo këngë konsumi. I pranishëm në skena të ndryshme që në fëmijërinë e hershme ai vlerëson shumë këtë rikthim pasi vjen më i pjekur dhe jo me naivitetin e vitit 2009 kur ai ishte për herë të parë në Festën e Këngës.