Festivali i 62-të i Këngës në RTSH, nis shitja e biletave! Blerja online tek vivere.al ose në sportelet e Pallatit të Kongreseve
  • e shtunë, 16 dhjetor 2023

Festivali i 62-të i Këngës në RTSH, nis shitja e biletave! Blerja online tek vivere.al ose në sportelet e Pallatit të Kongreseve

Pas një pune kolosale, Festivali 62 i Këngës në RTSH do të zhvillohet për 4 net radhazi si eventi muzikor kombëtar më i rëndësishëm. FEST 62 do të zhvillohet në datat 19, 20, 21 dhe 22, kur pritet nata e finales së madhe.

Artistë të njohur të muzikës shqiptare, të rinj dhe grupe alternative do të ngjiten në skenë për të dhuruar net plot emocione, muzikë dhe spektakël.

Biletat e Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH mund t’i blini online tek vivere.al si dhe tek sporteli i Pallatit të Kongreseve nga ora 12.00 deri 20.00

Festivali i Këngës në RTSH e nisi rrugëtimin e tij në vitin 1962 në sallën e Institutit të Lartë të Arteve dhe deri në vitin 1971 u transmetua fillimisht vetëm në valët e Radio Tiranës, ndaj është cilësuar në ato vite si Festivali i Këngës në Radio. Ishte edicioni i X-të i këtij spektakli ai që do të transmetohej për herë të parë në ekranin e Televizionit Shqiptar.

Duke nisur që nga ky moment ai do të njihej nga gjithë si Festivali Këngës në RTSH. Viti 1981 mendohet se ishte momenti kulmor ku për herë të parë ndodhi transmetimi me ngjyra i Festivalit të Këngës në RTSH ndërsa shënimet e kohës të dokumentuara në bobinat e Festivalit të Këngës na tregojnë një tjetër datë, vitin 1982. Regjisorë, kompozitorë, këngëtarë, poetë, dirigjentë, instrumentistë dhe artistë e kanë ngritur ndër vite në piedestal këtë event të muzikës shqiptare..

Shqipëria mori pjesë për herë të parë në "Eurovision" në vitin 2004 me këngëtaren Anjeza Shahini e cila u shpall fituese e Festivalit të 42-të të Këngës në RTSH. Tashmë përfaqësimi i vendit tonë në "Eurovision" është kthyer në një traditë të eventit muzikor më të rëndësishëm në Shqipëri.

Edicioni i 62-të i Festivalit do të ketë temën FJALA DHE MUZIKA duke vendosur theks të veçantë në cilësinë e këngëve jo vetëm si vijë melodike por dhe tek tekstet që transmetojnë këtë vijë melodike.

/RTSH/