Një hyrje spektakolare ashtu siç e meriton një mbrëmje e bukur dhe magjike e Festivalit të Këngës do të ishte ajo e dy prezantuesve të cilët të shoqëruar me tingujt e Fanfarës së Tiranës do të hapnin natën e dytë.
Kjo mbrëmje Festivalit të Këngës do të kishte në fokus 100 Vjetorin e Tiranës kryeqytet dhe në këtë përvjetor u desh që festivali të zhvillohej jashtë, në ngrohtësinë e dritave të dhjetorit, që vetëm Tirana mund ta fali natyrshëm.
Prej 59 vitesh , Tirana mirëpret çdo vit Festivalin, bashkë me kompozitorët, poetët, këngëtarët nga e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare, të cilët vijnë për të fituar çmimin prestigjoz dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian të muzikës.
Mbrëmja e 22 dhjetorit do të sillte përsëri në skenë 25 këngët pjesmarrëse në Festival por këtë herë në versionin akustik për të shijuar një tjetër emocion të këtyre motiveve dhe njëkohësisht për ti bërë ato edhe më të njohura për publikun dhe jurinë.
Gjithshka që do të vinte në skene ishte menduar në perfeksion për të perçuar një natë muzike vërtet të veçantë dhe për të përjetuar një përvojë të rrallë muzikore midis artistëve konkurrues dhe të ftuarve të kësaj mbrëmje.
Tingujt muzikore të interpretuar nga këngëtarë të brezave të ndryshëm do të na kujtonin edhe njëherë këmbënguljen e stafit organizativ për ta mbajtur këtë festival, dhe e gjitha kjo nuk ishte një kapriçio artistike, por një thirrje njerëzore, për të ruajtur ndjesinë e vazhdimësisë.
Një e ftuar e veçantë do të ishte dhe Suela Lala që me emocion do të tregonte për gjithëpërfshirjen e 160,000 personave me aftësi ndryshe në vendin tonë, dhe pse është e rëndësishme që shoqëria të synojë dhe të arrijë përfshirjen e tyre në çdo fushë të jetës, përfshirë artin.
Ky është misioni i bukur dhe i prekshëm i një Festivali historik si ai i Festivalit të këngës.
Këngët do të vazhdonin të interpretoheshin në mbrëmjen e ftohtë të 22 dhjetorit për t’i lënë rradhën njëra - tjetrës dhe si një stafetë e bukur këngëtarët përcillnin me emocion këngët e tyre me shumë ndjenjë.
Të ftuarit specialë dhe artistët pjesmarrës në një ndërthurje elegante do të tejçonin në ekranin e televizorit atë magji që vetëm kënga dhe muzika të jep.
Por regjisori Pali Kuke kishte vendosur që në fund të sillte një tjetër befasi të dy prezantuesve simpatike të cilët do të provonin edhe të këndonin këngën “Qyteti i vjetër” e cila përfshinte shumëçka në një natë që i kushtohej Tiranës por që në zemrën e saj ka mirëpritur plot 59 vite Festival të cilat janë një vlerë e padiskutueshme e këngës tonë.