Sheshe të zbrazuar në të gjithë botën ku vetëm zogjtë fluturojnë dhe këndojnë….por një shesh, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë buçet nga kënga e cila lajmëron fillimin e një festivali që shënon 59 vite histori....
Kështu mori udhë nata e parë e Fest 59 ku 25 këngët e reja të krijuara enkas për këtë Festival, do të lenë gjurmë në historinë e këngës shqiptare. Këto këngë të cilat padyshim do të mbahen mend si këngët që u kënduan në festivalin e çuditshëm të vitit të mbrapshtë 2020. Një vit që vuri në dyshim vetë ekzistencën e njerëzimit. Një fillim emocionues i menduar me kujdes nga regjisori i këtij Festivali , Pali Kuke do të premtonte një mbrëmje e cila do të kishte madhështinë e një Festivali Kënge.
Prezantuesit, Jonida Vokshi dhe Blendi Salaj të mësuar tashmë me skenën dhe me një karrierë skenike dhe televizive për secilin, do të krijonin një ambient të ngrohtë për të mirëpritur këngëtarët dhe të ftuarit në skenë.
Një fillim ritmik i nevojshëm për një natë të parë dhe më pas do ti këndohej dashurisë, prindërve dhe kujtimeve.
Ky vit do të na bënte të kalonim shumë sfida në aspekte të ndryshme të ndryshme te jetës , por përballja e mjekëve me situatën e Covid- 19 do të ishte ajo më sfiduesja. Mjeku aq i dashur, Tritan Kalo, do të sillte një mesazh vlerësimi dhe inkurajues për të gjithë shqiptarët duke na ftuar ta duam njeri- tjetrin dhe ta gëzojmë jetën.
Me pas tingujt e baladave do të miksoheshin me melodinë energjike ku zjarri dhe gjalleria do të pushtonin skenën.
Elementët e tjerë të spektaklit do të ngjyrosnin me nota optimiste këtë natë të pare të Festivalit të 59-të të Këngës në RTSH. Artistët në skenë kanë patur një mangësi të madhe këtë vit, atë të publikut, të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të tyre , por ata si asnjëherë tjetër kanë marrë vlerësimin më të madh të karrierës së tyre duke qenë pjesmarrës në një nga Festivalet më të pazakontë.
Ndaj një duartrokitje të fortë e të gjatë meritojnë të gjithë ata që realizuan këtë festival me misionin e bukur dhe kuptimplotë që muzika të mos ndalë kurrë.