Uji është jetë, por pavarësisht rëndësisë që ka, në jo pak raste jo vetëm e shpërdorojmë, por edhe e ndotim atë. Ky fenomen shqetësues dhe sjellja problematike ndaj burimeve të natyrës, ka qenë objekt edhe i një mesazhi sensibilizues në Fest 62.
Nga skena e Festivalit, moderatorja Adriana Matoshi ka kërkuar që t’i jepet fund ndotjes së ujërave të deteve, lumenjëve dhe liqeneve në vend, për të menduar jo vetëm për të sotmen, por edhe për brezat që vijnë.
“Duhet të ruajmë këtë pasuri të madhe”, theksoi Matoshi.
“Ne të Dardanisë e kemi shumë për zemër detin, megjithatë të mos “fshihemi pas gishtit”. Nuk të zhgënjen kurrë deti, por njerëzit për mënyrën sesi sillen me të. Bregut të detit kemi kanaçe, shishe, pelena fëmijësh, rroba të vjetra, çdo lloj mbetje. Po a është vetëm bregdeti? Me keqardhje duhet të them jo. Kudo ku janë ujërat e shqiptarëve, pluskojnë mbetjet e tyre. Bishtat e cigareve, kudo qese plastikë. Gjithçka që i hamë me peshqit. Flasim për ujëra të kristaltë që burojnë nga maja e malit, teksa ne i ndotim ato. Po pse o shqiptar? Pse? Pse duhet ta ndotim qoftë edhe një pikë uji? Kur thatësia e çan tokë, me çfarë do ta lagim gurmazin e saj? Me vajrat që derdhim në lumenj apo mbetjet spitalore që vijën në bregun e liqenit në Kukës prej shqiptarëve?”, apeloi Adriana Matoshi.
/rtsh.al/