Asgjë nuk e ndal këngën, këngën e bukur, këngën e vërtetë. Tashmë jemi në edicionin e 59-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Fundvjeshta e fillim dimri na sjellin atmosferën e bukur të ndërrimit të viteve por edhe bukurinë e gëzimin që sjell Festa e Këngës. Të gjithë krijuesit, poetet dhe këngëtarët mundohen të bëjnë më të mirën e tyre për të sjellë këngë të bukura të cilat do ti rezistojnë kohës dhe do të futen në historinë e këngës shqiptare. Ndonëse një edicion i jashtëzakonshëm ne duam të mbështetemi tek moto Muzika nuk ndal. Njihemi sot me njërin nga këngëtarët konkurrues të këtij Festivali.
Devis Xherahu tregon për Pengun që ka ai për babain e tij, për një përqafim të munguar i cili vjen vetëm në ëndrra. Rrëfimi i tij se si i ati ndërroi jetë teksa Devis do të interpretonte në provat gjenerale të Festivalit të Këngës vite më parë. Mesazhi prekës për të gjithë ata që i kanë humbur prindërit përkthehet nëpërmjet fjalëve të Pandi Laços dhe notave e zërit të Devis Xherahut.