Orgesa Zaimi ka qenë e ftuar në programin e Andri Xhahut në Radio Tirana, në kuadër të promovimit të këngëve konkurrente në Fest ‘59. “Këtë vit vij me një këngë ndryshe, të stilit të Amy Winehouse, këtë ndjesi përjetova kur e dëgjova për herë të parë në piano. Më pëlqen serioziteti dhe emocioni që ka kjo këngë. Më bindi Gridi Kraja, i cili prej dy vitesh më ka kërkuar që të këndoja një material të tij. Shkoi shumë mirë edhe me tekstin e Olti Currit. Në këngë jam vënë në rolin e dikujt që i është thyer zemra. E kam ndierë si një këngë humbjeje, jo vetëm në dashuri por në një dimension më të gjerë."
Midis të tjerash, Orgesa ka nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes në Festivalin e Këngës. "Është detyrë e artistëve që të vazhdojnë të ushqejnë festivalin me muzikë të mirë. Unë dua të kontribuoj në Festivalin e Këngës sepse jam fanse e tij që kur kam qenë e vogël. I kam të shkruara në letër festivalet, këngët e mia të preferuara, tekstet, emrat e kompozitorëve, tekstshkruesve, orkestruesit, dirigjentët".
- e hënë, 30 nëntor 2020