Emrat e njohur të skenës botërore Julia Sanina, Graham Norton, Hannah Waddingham dhe Alesha Dixon do të prezantojnë Eurovision 2023 në Liverpool. Emrat e mikpritësve të festivatil më të madh të këngës në Europë janë bërë publik nga vetë Eurovision.
Këngëtarja ukrainase Julia Sanina, aktorja fituese e çmimit Emmy, Hannah Waddingham dhe ylli i popit Alesha Dixon do të prezantojnë gjysmëfinalet më 9 dhe 11 maj, ndërsa komediani dhe prezantuesi i njohur irlandez Graham Norton do t’i bashkohet treshes prezantuese në natën finale më 13 maj.
“Çdo vit që jam i përfshirë është një nder i madh. Ky vit është edhe më i veçantë dhe unë personalisht ndjej një përgjegjësi të madhe për t’i bërë krenarë kolegët tanë ukrainas”, tha Norton.
Mbretëria e Bashkuar pret festivalin në emër të Ukrainës, fituesi i vitit 2022, për shkak të pushtimit rus.
Këtë vit Shqiperia do të përfaqësohet nga Albina dhe familja Kelmendi me këngën “Duje”, si fituese të edicionit të 61-të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Shqipëria do të këndojë natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovision 2023 që do të zhvillohet në Liverpool, ndërsa performanca do të jetë e 9-ta në radhë.
Kush janë prezantuesit e Eurovision 2023?
Hannah Waddingham fitoi një çmim Emmy për rolin e saj në Ted Lasso , është nominuar për tre çmime Olivier dhe ka luajtur në muzikalet e West End dhe Broadway. Ajo ka qenë pjesë edhe e serialeve Game of Thrones, Sex Education, Willow etj.
Julia Sanina ishte një finaliste në Dancing ëith the Stars në Ukrainë dhe ishte gjyqtare në X-Factor Ukraine . Në vitin 2016, grupi i saj, The HARDKISS, mori pjesë në përzgjedhjen kombëtare për Eurovision Song Contest dhe u rendit i dyti në total. Ajo u zgjodh nga publiku ukrainas për të qenë gjyqtare në shfaqjen kombëtare të Eurovizionit të Ukrainës.
Alesha Dixon është gjithashtu një artiste solo jashtëzakonisht e suksesshme dhe pjesë e jurisë së Britain’s Got Talent.
Graham Norton është një legjendë e Eurovision Song Contest, i cili ka komentuar Konkursin për Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2009. Graham ka fituar Çmimin Special të Njohjes në Çmimet e Televizionit Kombëtar.
/rtsh.al/