Ditët e dhjetorit , ndonëse të ftohta dhe të lagështa nuk japin aspak shqetësim për artistët të cilët janë të përfshirë nga atmosfera festive e Festës së Këngës. Të gjithë duan të japin më të mirën e tyre edhe pse për ata që kanë qenë pjesë e vazhdueshme e kësaj gare, mungesa e Orkestrës dhe e publikut është shumë e madhe. E gjithsesi ata mezi presin të interpretojnë në skenën e Festivalit të 59-të në RTSH.
"Ty" një këngë që i dedikohet birit të Fatos Shabanit, i cili ka vetëm pak muaj që ka ardhur në jetë.Një frymëzim i ardhur nga viti i pazakontë i pandemisë i cili solli gëzimin më të madh në familjen Shabani. Ndonëse me profesion arkitekt, Fatosi e sheh muzikën si pasionin e tij më të madh me të cilin frymëzohet dhe gjen qetësi. Festivali i Këngës në RTSH për atë, është skena më serioze dhe me kulminante për karrierën e një këngëtari apo krijuesi në trojet shqiptare duke patur parasysh dhe gjashtë dekada histori të muzikës shqiptare. Fatosi e gjen veten mjaft mirë këto ditë midis miqve artistë duke u përfshirë pak nga pak në ethet e garës.