Artistët përjetojnë çdo gjë ndryshe, me një ndjeshmëri ku përzihet njerëzorja me artin. Kështu ka ndodhur dhe me Kamela Islamaj e cila këtë vit këndon për herë të pestë në skenën e Festivalit të Këngës. Festivali për atë ka qenë dhe mbetet një skenë ku këngëtarët shprehin bukur artin e tyre dhe ndjehen si në një skenë e cila me eksperiencën 59 vjeçare bën për vete të madh e të vogël. Aty Kamela ndjehet e fuqishme dhe origjinale njëkohësisht.
Kënga e saj këtë vit vjen ndryshe nga viti i shkuar. Ajo e krijoi muzikën në një nga ato ditë kur ishte shumë e qetë dhe menjëherë pasi e mbaroi ia tregoi Megi Hasanit e cila u frymëzua nga muzika dhe shkroi tekstin. Kënga ka nota optimizmi dhe humori edhe pse bëhet fjalë për një histori ndarjeje. Në këngë jepet mesazhi pozitiv për të mos e kthyer kokën kurrë mbrapa.