Ronela Hajati për ‘Mirëmëngjes Shqipëri’: Do jap maksimumin për të shkëlqyer! Presioni i madh, shikohen detajet më të vogla skenike
  • e enjte, 5 maj 2022

Ronela Hajati për ‘Mirëmëngjes Shqipëri’: Do jap maksimumin për të shkëlqyer! Presioni i madh, shikohen detajet më të vogla skenike

Këngëtarja Ronela Hajati është besimplotë që përtej presionit që ka aktualisht në një skenë të madhe si ajo e Eurovision do të shkëlqejë më performancën e saj më 10 maj dhe siç thotë ajo duke qeshur “të bëjë namin”.

Në një lidhje live me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri’ në RTSH, këngëtarja Hajati tha se në skenën e Torinos shikohen edhe detajet më të vogla skenike dhe është pikërisht performanca që të çon në finale.

“Këtej shohin vetëm skenën, nëse jo nuk duket bukur për këta nuk je finaliste. Në Shqipëri shikojnë zërin a e këndon mirë këngën, këtu shohin e çdo detaj, deri te gjeja më e vogël që nuk u pëlqen të telendisin”, tha Ronela.

Nga provat e djeshme Ronela ka mbetur pak e zhgënjyer pasi ka pasur disa probleme, por kjo nuk e pengon të besojë se ajo do të jap maksimumin e energjisë së saj për të shkëlqyer dhe përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet në skenën e festivalit europian.

“E vetmja gjë që jam e merakosur është që të dali gjëja siç duhet. Nuk me kanë pëlqyer provat fare dje, ka pasur gabime shumë të mëdha, ne kemi kërkuar gjëra të tjera. Provat nuk më pëlqejnë dhe shpresoj ta rregulloj. Impakti ka qenë shumë pozitiv deri dje, dje ka qenë shumë i keq. Ndonjëherë është problem i madh që njerëzit të kthejnë pllakën shumë shpejt dhe këtu kupton që njerëzit janë thjeshtë shumë momental. Por kjo ka pak rëndësi, unë do jap maksimumin”, shtoi këngëtarja.

Klipi i këngës ‘Sekret’ ka qenë një ndër më të vlerësuar dhe kilikuarit mes këngëve të Eurovision 2022, ku Ronela nuk kurseu batuta me moderatorin e emisionit të mëngjesit në RTSH, Florian Agalliu, i cili ka qenë pjesë e klipit, duke i thënë se “ në Torino ka bërë namin dhe ka kërkesa të shumta nga gocat...por edhe nga çunat”.

Ronela Hajati do të performojë këngën ‘Sekret’ në Eurovision 2022 më 10 maj dhe do të jetë e para që do të ndez skenën e madhe në Torino, ku adrenalina dhe energjia nuk do të mungojnë.

/rtsh.al/