Nga “Ktheju Tokës” në “Rrjedh në këngë e ligjërime”, nata e parë e Festivalit të ’58 të Këngës kaloi me sukses!
Pas qindra orësh prova intensive në RTSH dhe në Pallatin e Kongreseve, Festivali i 58-të i Këngës startoi mbrëmjen e kaluar duke përmbushur të gjitha pritshmëritë e saj.
Mbrëmja nisi me hapjen epike të Jonida Maliqit, e cila e hipur në një piramidë performoi këngën e saj fituese të vitit që lamë pas, “Ktheju tokës”.
Më pas, Jonida do t’ja linte vendin Alketa Vejsiut dhe Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar të cilët do të nisnin spektaklin për 10 artistët pjesëmarrës.
Ndërmjet konkurrimit, produksioni kishte përgatitur 4 surpriza.
Luan Zhegu u nderua me çmimin e mirënjohjes për kontributin e dhënë në muzikën shqiptare dhe në Festivalin e Këngës. Për të nderuar Zhegun, Redon Makashi, Eranda Libohova, Marsela Çibukaj dhe Stine performuan një prej hiteve të repertorit të Luan Zhegu.
Florian Binaj, Rudina Dembacaj dhe Drilon Hoxha i dhanë publikut disa grimca humori për t’i lënë më pas vendin surprizës së madhe të natës së parë.
Superstari italian, Mahmood u ngjit në skenë për të performuar hitet e tij “Barrio” dhe “Soldi” duke ngritur sallën e Pallatit të Kongreseve në këmbë.
E për ta mbyllur siç duhet, Alketa Vejsiu bashkë me Gëzim Myshketën kënduan himnin e Vaçe Zelës, “Rrjedh në këngë e ligjërime” duke u bërë njësh me publikun në sallë.
Mbrëmjen e sotme ju presin në Festivalin e Këngës, 10 këngëtarë të tjerë e me surpriza të reja!
- e premte, 20 dhjetor 2019