Përfaqësimi dinjitoz i Ronela Hajatit në gjysmëfinalen e parë të Eurovision nuk mundi ta çonte Shqipërinë në finale. Vetë këngëtarja është shprehur e zhgënjyer, teksa shkruan në Instagram se performanca e “Sekret” ishte mjaft e arrirë dhe se e meritonte finalen.
“Ende nuk e kam parë, sepse nuk mundem. Dje dola për të pirë, për të harruar dhe kjo ndodhi! Plus performanca e “Sekret” është 1 milion! Ende e ndjej këtë dhimbje të madhe në gjoks, sepse e merituam këtë finale, por Zoti i di gjërat më mirë! Ju dua” shkruan këngëtarja.
Gjysmëfinalja e parë e Eurovision u zhvillua mbrëmjen e djeshme, ku Ronela Hajati, me këngën “Sekret”, pati një performancë elektrizuese, duke dhuruar shumë emocione, ndonëse nuk u kualifikua për në finale.
Nga 17 këngë konkurrues, vendin në finalen e së shtunës e fituan vetëm 10 prej tyre, konkretisht: Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia dhe Holanda.
Finalja e madhe do të mbahet më 14 maj në stadiumin ‘Pala Olimpico’ në Torino të Italisë, ndërsa më 12 maj do të mbahet nata e dytë gjysmëfinale, ku do të zbulohen dhe finalistët e tjerë./rtsh.al
Eurovision 2022 mund ta ndiqni ekskluzivisht në RTSH1, RTSH Muzikë, Radio Tirana dhe RTSH.al.